E Martë, 3 Nëntor 2026

Koçiu: Prof. dr. Donjeta Bali, drejtuesja e re e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”

TIRANË, 29 maj/ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ka bërë me dije sot, se prof. dr. Donjeta Bali do të jetë drejtuesja e re e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” Tiranë.

Ministrja Koçiu pohoi se drejtuesja e re e QSUNT-së është “një profesioniste me përvojë, e cila merr drejtimin e institucionit më të madh spitalor në vend me përkushtimin për të çuar përpara standardet e kujdesit shëndetësor dhe shërbimin ndaj pacientëve”.

Koçiu i ka uruar suksese prof. dr. Donjeta Balit në këtë detyrë të rëndësishme, duke shprehur bindjen se në qendër do të jetë gjithmonë pacienti dhe shërbimi cilësor.

“Një falënderim i veçantë për prof. dr. Alma Cani, për punën dhe kontributin e saj gjatë drejtimit të QSUT-së, në një periudhë sfidash të shumta”, thotë Koçiu në një postim në rrjetet sociale.

Prof. dr. Donjeta Bali shërben prej 21 vitesh si mjeke pediatre onkohematologe në shërbimin e Onko-Hematologjisë Pediatrike në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” Tiranë. Gjithashtu, ajo është pedagoge në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Mjekësisë, Tiranë.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›