Koçiu: Qendra shëndetësore verore në Himarë në shërbim të pushuesve vendas dhe të huaj

TIRANË, 2 korrik/ATSH/ Në këto ditë të nxehta vere turistët vendas e të huaj që pushojnë në Himarë kanë në gatishmëri qendrën shëndetësore verore, ku mund të marrin shërbim në rast nevoje.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, në një postim në rrjetet sociale, tha se “në zemër të bregdetit të bukur të Himarës, qendra shëndetësore verore është në shërbim të pushuesve vendas dhe të huaj me staf të specializuar dhe pajisje moderne, për të ofruar ndihmën e parë dhe kujdesin e nevojshëm shëndetësor 24/7”.
“Deri tani në qendrën tonë shëndetësore verore shërbimi ka shkuar shumë mirë, turistët janë duke u rritur gradualisht në numër dhe ne jemi duke dhënë shërbimin tonë 24/7 bashkë me shërbimin e autoambulancave”, tha Aurel Rusi, mjek pranë kësaj qendre shëndetësore.
Rusi i bën thirrje moshave të treta dhe të sëmurëve me sëmundje kardiovaskulare të shmangin temperaturat e larta dhe për çdo lloj problematike të drejtohen në qendrën shëndetësore verore të Himarës.
Gjatë gjithë sezonit veror, turistët e huaj, por edhe pushuesit vendas mund të marrin shërbim shëndetësor për çdo rast urgjence në 36 qendrat shëndetësore verore që janë në funksion të plotë 24 orë në ditë, në 7 ditë të javës.
Qendrat shëndetësore do të qëndrojnë të hapura deri në datën 30 shtator 2025, për një sezon turistik të sigurt dhe të shëndetshëm për të gjithë pushuesit vendas dhe ata të huaj.
1 nga 6/k.s//a.f//r.e/