Koçiu: Shqipëria sot hyn në një fazë të re të negociatave me BE-në

TIRANË, 26 maj /ATSH/ Shqipëria sot hyn në një fazë të re të negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Europian, u shpreh sot zëvendëskryeministrja Albana Koçiu, e cila shtoi se, ky progres është rezultat i një agjende të qartë reformash, por edhe i mbështetjes së partnerëve ndërkombëtarë.
Koçiu mori pjesë sot në Forumin për koordinimin e ndihmës së huaj, ku vlerësoi rëndësinë e bashkëpunimit me institucionet ndërkombëtare dhe donatorët që mbështesin Shqipërinë në rrugën e integrimit europian.
Në një reagim, Koçiu u shpreh se gjatë forumit u theksua nevoja për një koordinim më strategjik të asistencës ndërkombëtare, me fokus në rezultate konkrete dhe në përputhje të plotë me prioritetet e procesit të integrimit në Bashkimi Europian.
Koçiu nënvizoi se Shqipëria disponon kapacitetet institucionale për të realizuar reformat brenda afateve dhe për ta kthyer mbështetjen ndërkombëtare në përfitime të prekshme për qytetarët.
“Shqipëria ka kapacitetin institucional për të realizuar reformat në kohë dhe për ta kthyer asistencën ndërkombëtare në progres të prekshëm për qytetarët, duke u afruar gjithnjë e më shumë me objektivin e anëtarësimit në Bashkimin Europian”, u shpreh ajo.
/gj.m/r.e/