Përrenjasi çel sezonin turistik me festivalin “Rrajca e Valles”

TIRANË, 26 maj /ATSH/ Bashkia Përrenjas çeli sot sezonin turistik me aktivitetin “Rrajca e Valles” në fshatin Sutaj në Rrajcë, ku atmosfera e jashtëzakonshme ndërthuri artin, folklorin dhe mikpritjen në një festë me “Art & Zeje” nga shkollat e bashkisë, festivalin folklorik me ansamble nga qytete të ndryshme të Shqipërisë dhe panairin me artizanë duarartë, biznese e bujtina të zonës.
Në fokus ishte promovimi turistik të Rrajcës dhe i gjithë zonës së Përrenjasit, duke vënë theksin tek agroturizmi, bujtinat dhe bizneset lokale.
Kryetari i bashkisë së Përrenjasit, Nuri Belba ftoi vizitorët që të zbulojnë bukuritë natyrore të zonës, të pushojnë në bujtinat mikpritëse, të shijojnë gatimet tradicionale dhe të përjetojnë nga afër kulturën dhe historinë që e bëjnë bashkinë Përrenjas një destinacion të veçantë turistik.
Ai u shpreh se ky vit e gjen zonën me më shumë njësi akomoduese për agroturizëm, ndërsa vuri theksin edhe te rëndësia e Paketës së Maleve për zhvillimin e ekoturizmit dhe shtimin e bujtinave për pritjen e turistëve.
“Sot jemi në fshatin Sutaj ku kemi organizuar hapjen e sezonit turistik, të kompozuar me një festival folklorik “Vallja e Rrajcës”, duke ftuar edhe shumë grupe të tjera. Ky vit e gjen bashkinë me më shumë njësi akomoduese për agroturizëm. Edhe një instrument i rëndësishëm i cili na është vënë tani në përdorim është edhe Paketa e Maleve, ku zona jonë ka një potencial të madh për zhvillimin ekoturizmit dhe me këtë paketë ne do të arrijmë që shumë njerëz që kanë aplikuar, të marrin lejet pranë bashkisë dhe të zhvillojnë bujtina për të pritur sa më shumë turistë”, tha Belba.
Në aktivitet ishte e pranishme edhe deputetja e Partisë Socialiste, Bora Muzhaqi, e cila tha se Përrenjasi nuk është më vetëm një pikë kalimi, por një destinacion që po tërheq gjithnjë e më shumë turistë shqiptarë dhe të huaj falë zhvillimit të agroturizmit, bujtinave dhe promovimit të traditave e kulinarisë së zonës.
“Sot jam për herë të parë në festivalin ‘Rrajca e Valles’, sepse këtu kemi valle nga krahina të ndryshme. Një organizim shumë i bukur nga bashkia e Përrenjasit, jo vetëm për të promovuar traditat e bukura të zonës tonë, fiks këtu në Rrajcë, por mbi të gjitha dhe për të promovuar turizmin. Tashmë Përrenjasi nuk është vetëm një pikë kalimi, është një mundësi që turistët shqiptarë, por dhe ato nga bota të kenë mundësinë ta vizitojnë me rritjen e bujtinave, me rritjen e agroturizmave, por edhe mbi të gjitha për të shijuar ushqimet tradicionale dhe traditat e bukura që ne kemi. Sot është një ditë për të festuar, por edhe për t’i bërë një ftesë të gjithë shqiptarëve që të kenë mundësinë ta vizitojnë zonën tonë të bukur të Përrenjasit, ku tashmë çdo ditë e më shumë kemi më shumë turistë dhe më shumë mundësi që të ndajmë traditat, por edhe vlerat e bukura që kjo zonë ka”, tha Muzhaqi.
/m.q/r.e/