Koçiu në Gjenevë: Shqipëria po prodhon mbi 50 autoambulanca për Ukrainën

Shqipëria po prodhon mbi 50 autoambulanca për Ukrainën. Lajmin e bëri të ditur Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, gjatë takimit të martën në Gjenevë me homologë ministra dhe ambasadorë, të organizuar në kuadër të Asamblesë së 77-të Botërore të Shëndetësisë.
Takimi synonte të mbështeste ringritjen e sistemit shëndetësor të Ukrainës.
Gjatë takimit, ministrja Koçiu theksoi angazhimin e palëkundur të Shqipërisë për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Ukrainës, duke ofruar ekspertizën teknike, pajisje mjekësore dhe ndihmë financiare për të forcuar kapacitetet në infrastrukturën shëndetësore.
“Kemi nisur prodhimin e mbi 50 autoambulancave për Ukrainën, të gjitha të përshtatshme në përgjigje të emergjencave për të plagosurit nga sulmet ruse”, u shpreh Koçiu.
Zonja Koçiu theksoi se “së bashku me partnerët ndërkombëtarë, nëpërmjet partneriteteve strategjike dhe bashkëpunimit të vyer, mbetemi të përkushtuar për ndërtimin e një kujdesi shëndetësor gjithëpërfshirës në Ukrainë”.
/ rtsh.al /