E Diel, 1 Nëntor 2026

Kodi i ri Penal: Lehtësi e ndëshkim, penalizohet shpifja, jo burg për prostitucion. Shtrëngohet lirimi me kusht

Kodi i ri penalizon shpifjen. Ndonëse kjo vepër penale ishte premtuar për t’u dekiminalizuar, qëndrimi i drejtuesit të grupit të punës që hartoi kodin, Arben Rakipi, është i ndryshëm. Megjithatë në fjalën e tij, ai tha se ia lë në dorë politikës një vendimmarrje për ta konsideruar apo jo krim.

“Më duket që cënon barazinë e njerëzve përpara ligjit, duket fyese nëse i përjashtojmë gazetarët nga shpifja. Kjo në një farë mënyre bën licencimin e atyre që shpifin. Apo më keq akoma, paragjykon duke lënë të kuptohet që ata shpifin. Shqetësimi që gazetarët të mos kërcënohen me penalitete sepse ekziston mundësia që të gabojë, atij i duhet një mbrojtje. Shqipëria ka një premtim për të dekriminalizuar shpifjen, por grupi ynë i punës nuk ka pasur kontakte politike për të thithur këtë orientim dhe ka qëndruar në nivelin keknik. Nëse përfitimi politik i Shqipërisë në raport me këtë gjë është i madh, kjo gjë të vendoset politikisht. Shqipërisë nuk i vjen e keqja nga parashikimi i shpifjes në Kod Penal”, tha Rakipi.

Rakipi u ndal edhe te neni 536 “Ndikimi në pavarësinë e gjyqësorit”, i cili dënon me gjobë deri në 3 vjet heqje lirie këdo që komenton aftësinë e gjykatës për të marrë vendime. Sipas tij ky është mekanizëm për të mbrojtur gjykatat.

“Pavarësia e gjykatës dhe ndikimi në sistem. Unë dua të siguroj të gjithë ata që u përfshinë, edhe gazetarët sigurisht, që nuk ka asnjë tendencë, do të ishte kriminale nëse do të ishte. Ne jemi të bindur që në proporcionalitetin e interesave publikë në këtë çështje prevalon interesi i drejtësisë. Çështjet e fjalës së lirë janë gjithmonë të ndjeshme, dhe ekuilibri është gjithnjë prezent. Dispozita qartazi nuk e lidh këtë çështje me profesionin e gazetarit. Por lidhet me qëllimin e mbrapsht, qëllimin e dezinformimit, qëllimin për të ndikuar në vendimin e gjykatës, presionin. Të gjitha këto që thashë nuk kanë lidhje me misionin e gazetarëve dhe nuk mund t’i takojë atyre. Sistemi ynë gjyqësor goditet ditë pas dite”, tha Rakipi.

Megjithatë, Kodi ka propozuar edhe përjashtimin e prostitucionit nga veprimtaria kriminale dhe të vdekjes së asistuar.

“Kërkojmë të depenalizojmë siç është eutanazia që nuk është prekur në publik apo prostitucioni, edhe për këtë çështje nuk është folur fare. Diskutimi publik është mjaft i rëndësishëm sepse na jep një përgjigje të arsyeshme dhe të besueshme dhe gati në nivel shkenzor, lidhur me faktin nëse këto vepra duhet penalizuar apo jo. Kodi aktual e ka 1.5 vjet burg dhe gjobë, ndërsa projekti ynë orienton dhe synon depenalizimin sepse lidhet edhe me masa të tjera penalizimi”, sqaroi Rakipi .

Lehtësim i bëhet veprave penale në fushën e kanabisit.

“Nëse tregon blerësin, atëherë nuk dënohesh”, tha Rakipi.

Sa i takon lehtësimit të pozitave të të dënuarve përjetë, Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja iu përgjigj zërave kritikë në këtë mënyrë: Drafti i ri parashikon procedurë të veçantë të gjykimit të kërkesave për lirim me kusht dhe ka listuar cilat janë rrethanat e jashtëzakonshme. I ka dhënë përparësi viktimës, duke kërkuar dëmshpërblim dhe kompensimin moral. Do të thotë se ky kod e ka vështirësuar nëse do të miratohet lirimi me parakusht të personave me burgim të përjetshëm. Jo vetëm që duhet të kenë vuajtur 35 vite burgim dhe nëse nuk ka një shprehje të qartë para gjyqtarit, të familjarëve të viktimës se kanë normalizuar marrëdhëniet, kërkesa nuk do të merren në considerate.

Derisa Kodi të shkojë për votim në parlament priten mbi 25 tryeza me grupe të ndryshme interesi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›