“Kodra” e drogës në mes të “diellit”/ SPAK operacion antidrogë, bashkëpunim me autoritetet spanjolle

Një rrjet i gjerë trafikantësh kokaine është goditur në Shqipëri, nga Prokuroria e Posaçme dhe Policia e Shtetit në bashkëpunim me autoritetet Spanjolle.
Në pranga kanë rënë 7 shqiptar, një 41-vjeçar Kolumbian, si dhe 2 persona nga Venezuela.
Po ashtu gjatë këtij hetimi janë zbuluar një laboratori kokainë i vendosur në fshatin Qerëkë të Fushë Krujës, një ambient për për përpunimin e kokainës në zonën e Kodrës së Diellit 2 në Tiranë, si dhe një tjetër ambient përpunimi në Durrës.
Lënda narkotike, sipas SPAK, është importuar nga Amerika Latine, në muajit shtator dhe nëntor të këtij viti. Nga aksioni i policisë dhe agjentëve të BKH, janë kapur 48 ton material i papërpunuar. Grupi kriminal e fshihte lëndën narkotike në lëkurë gjedhi në mënyrë që të mos kapej nga policia.
Gjatë kontrolleve në disa godina të këtij grupi kriminal janë kapur 89.5 kg përzierës të ngurtë dhe 50 kg solucion të lëngshëm për përgatitjen e kokainës, si dhe sende të tjera për nxjerrjen e kësja lënde.
Po gjatë këtij aksioni janë arritur të sekuestrohen edhe 6.1 kilogram kokainë, shuma të ndryshme parash, rreth 37 mijë euro, 57 milion pesos kolumbiane.
Nga të dhënat hetimore, rezulton se ky grup vepron si një rrjet ndërkombëtar kriminal, duke bashkëpunuar me organizata kriminale në Amerikën Latine për të trafikuar kokainën drejt Shqipërisë dhe vendeve të Bashkimit Evropian.
Në vend, ata përdornin një laborator dhe ambiente ndihmese për ekstraktimin e drogës nga “lëkurë gjedhi të kriposur”, përpunimin e saj përpara se ajo të trafikohej në tregjet e destinuara.
Struktura e grupit përfshinte shtetas nga disa qytete të vendit, role të mirë përcaktuara, duke përfshirë financues, transportues, përpunues, dhe shpërndarës.
Kolumbianët dhe venezuelianët, të njohur për ekspertizën e tyre të thelluar në trajtimin dhe përpunimin e kokainës, ishin “ekspertët” që garantonin suksesin teknik të operacionit.
Aftësia e tyre për të ekstraktuar kokainën nga materiale organike, si “lëkurat e bagëtive” e kthente drogën e papërpunuar në një produkt të gatshëm, të cilësisë së lartë, për tregun shqiptar dhe atë evropian. Ky bashkëpunim tregon jo vetëm përmasën ndërkombëtare të grupit, por edhe synimet e tij për të operuar në nivele të larta të organizimit dhe përdorimin e teknologjisë së avancuar në përpunimin e drogës./abcnews.al