Kokona tregon për ATSH-në projektet në zbatim, nga pallati i ri i sportit “Asllan Rusi”, te Klinika Mjekësore publike

TIRANË, 4 tetor /ATSH/ Korporata Shqiptare e Investimeve (AIC) po avancon me projekte strategjike në sektorë kyç si infrastruktura publike, teknologjia, sporti, kultura dhe ekonomia, me synimin për të shndërruar asetet e nënshfrytëzuara të shtetit në qendra zhvillimi ekonomik, social dhe kulturor.
Në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH), drejtoresha e AIC, Elira Kokona, theksoi se Korporata nuk operon si një zhvillues privat, por si një instrument shtetëror që vepron në funksion të interesit publik, duke kombinuar kapitalin privat me prioritetet kombëtare të zhvillimit.
“Roli i AIC është të shërbejë si një mekanizëm që i jep jetë projekteve strategjike me ndikim afatgjatë në zhvillimin e vendit”, u shpreh Kokona, teksa vuri në dukje se janë një sërë projektesh konkrete në zbatim nga godinat publike te teknologjia e avancuar.
Drejtoresha e AIC-së bëri të ditur se, aktualisht, Korporata është e fokusuar në dy drejtime kryesore: real estate dhe teknologji.
“Në fushën e real estate-it, janë duke u zhvilluar disa projekte të rëndësishme për modernizimin e infrastrukturës publike, përmes partneriteteve të reja si Void dhe Lift. Projektet përfshijnë Korpusin e Qeverisë, Korpusin e Inspektorateve, Korpusin e Kadastrës dhe Korpusin e Sigurisë”, tha ajo.
Gjithashtu, theksoi Kokona, në fushën e sportit dhe kulturës, po zhvillohen projekte madhore si: Rikonstruksioni i katër stadiumeve në qytete të ndryshme, Pallati i ri i Sportit “Asllan Rusi”, Akademia e Futbollit “Manchester City” dhe Godina e re e Bibliotekës Kombëtare.
Sipas saj, në drejtim të zhvillimit ekonomik, një projekt i rëndësishëm është edhe Expo Albania, që pritet të shndërrohet në platformën më të madhe ndërkombëtare për promovimin e potencialeve të Shqipërisë dhe lidhjen e sipërmarrësve vendas me investitorët e huaj.
Ndërsa në fushën e shëndetësisë dhe kujdesit social, po punohet për ngritjen e Shtëpisë së re të Fëmijëve dhe Klinikës Mjekësore publike, me standarde të avancuara shërbimi.
Kokona tha se, fokus kryesor mbetet zhvillimi i projekteve në teknologji dhe inovacion, që e vendosin Shqipërinë në hartën globale të IA.
Një nga iniciativat më premtuese të AIC është Thinking Machine Lab një qendër inovacioni e përkushtuar ndaj inteligjencës artificiale dhe teknologjive të avancuara si një qendër e re e talentit dhe inovacionit.
“Synimi ynë është që Thinking Machine Lab të shndërrohet në një pikë referimi rajonale për teknologjinë, ku të rinjtë shqiptarë të zhvillojnë projekte kërkimore dhe aplikime praktike të AI-së”, deklaroi Kokona.
Përveç këtij laboratori, po ndërtohet edhe Durana Tech Park, një ekosistem i plotë sipas standardeve bashkëkohore, për startup-et dhe kompanitë teknologjike, që ofron hapësira pune, zhvillim idesh dhe mbështetje për tërheqjen e kapitalit ndërkombëtar.
Kokona tha se, Strategjia pesëvjeçare synon sinergji mes shtetit dhe kapitalit privat
Drejtoresha e AIC theksoi se, në pesë vitet e ardhshme, Korporata do të mbështetet mbi dy shtylla strategjike: Ndjekja e trendeve globale të zhvillimit të biznesit dhe përputhja me prioritetet e Qeverisë Shqiptare, përfshirë strategjitë sektoriale si Strategjia Kombëtare e Turizmit.
AIC do të luajë një rol të rëndësishëm jo vetëm në hartimin dhe zbatimin e këtyre strategjive, por edhe në krijimin e modeleve të reja të bashkëpunimit publik-privat.
“Qasja jonë është të shndërrojmë çdo projekt në një model të bashkëpunimit publik-privat. Investitorët privatë do të kenë rol thelbësor jo vetëm si burim kapitali, por edhe si partnerë në dizajnimin, menaxhimin dhe zhvillimin e projekteve”, nënvizoi Kokona.
Ajo tha se AIC-ja është një model zhvillimi i qëndrueshëm dhe me ndikim social.
Korporata synon të krijojë forma bashkëpunimi që ndajnë risqet dhe përfitimet mes shtetit dhe investitorëve, duke garantuar që projektet të jenë të qëndrueshme financiarisht dhe me impakt të gjerë shoqëror.
“AIC do të mbetet ura që lidh prioritetet kombëtare me tregun ndërkombëtar të investimeve. Kjo do të thotë se projektet tona do të jenë gjithmonë në linjë me nevojat e qytetarëve, por edhe tërheqëse për sipërmarrjen private dhe kapitalin e huaj”, përfundoi Kokona.