Kolegji Zgjedhor pranon kërkesën e PD, dy anëtarë në KZAZ për zgjedhjet e Bashkisë Kukës

“Bie nga froni” Ilir Meta dhe ngjitet Lulzim Basha. Me vendim të Kolegjit Zgjedhor partia e parë e opozitës është ajo Demokratike dhe jo e Lirisë siç e përcaktuan Komisioneri i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi dhe Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve.
Me këtë vendim të formës së prerë për vendoret e parakohshme në Kukës, PD-ja e Lulzim Bashës do të ketë dy anëtarë në KZAZ dhe PL-ja e Ilir Metës vetëm një.
Ndryshe nga Celibashi dhe KAS që PD-në zyrtare e renditi parti të dytë të opozitës bazuar në rezultatin e dalë nga zgjedhjet e 14 majit, shumica e trupës gjyqësore i rrëzoi ata dhe i njohu Lulzim Bashës statusin e forcës së parë të opozitës dhe të “mirat” që e pasojnë atë.
Më shumë se për zgjedhjet e 24 shtatorit, ku Partia Demokratike nuk ka një kandidat në garë, betejën ligjore e zhvilloi për t’i thënë me gjykatë Sali Berishës se kush e ka vulën, logon dhe statusin parti e parë e opozitës.
Pas 9 ditësh në Kukës Edi Rama do të ripërballet me dyshen Sali Berisha dhe Ilir Meta. Garës për kryebashkiakun e ri iu shmang Lulzim Basha me kandidat të tij por jo me përfaqësues që nga komisionerët e deri te numëruesit.
Beteja për bashkinë e veriut që mbeti pa kryetar pasi socialisti Safet Gjici përfundoi i arrestuar dhe në burg për akuzën e korrupsionit do të zhvillohet mes Albert Halilaj të PS dhe Emir Vatës së koalicionit “Bashkë Fitojmë”.