E Diel, 1 Nëntor 2026

Kolonja tërheq turistët e huaj, vizitorë italianë eksplorojnë zonën me biçikleta

Kolonja po fiton gjithnjë e më shumë vëmendjen e turistëve të huaj si një destinacion ideal për turizmin e aventurës dhe çiklizmit. Së fundmi, një grup vizitorësh italianë kanë zgjedhur të eksplorojnë këtë zonë me biçikleta, duke përshkuar rrugët panoramike dhe peizazhet natyrore që ofron treva e juglindjes.

Turistët shprehen të impresionuar nga natyra, ushqimi tradicional, çmimet e favorshme dhe mikpritja e banorëve vendas, ndërsa shumë prej tyre rikthehen sërish pas eksperiencave pozitive të mëparshme.

“Është hera e parë në Shqipëri. Dua të them se gjithçka është fantastike. Njerëzit mikpritës kudo. Është hera e parë, por jo e fundit”.

“Për mua është hera e tretë që vij. Vij sepse këtu është ndryshe nga Italia”.

“Çmimet janë më të ulëta, ushqimet më të bollshme, njerëzit më mikpritës, natyra më e bukur. Madje ju na respektoni shumë kur ne ecim me biçikleta”.

“Është hera e katërt në Kolonjë, përherë me biçikletën time. Kam 10 vite që bëj ture të tilla. Jam kthyer se ndihem mirë këtu dhe natyra është e mrekullueshme”, thanë disa nga turistët.

Sipas guidës që i shoqëron gjatë turit, një pjesë e grupit e kanë vizituar më herët Shqipërinë dhe kanë zgjedhur të rikthehen për të zbuluar këtë herë jugun e vendit. Për ta, Shqipëria mbetet një vend tërheqës jo vetëm për bukuritë natyrore, por edhe për respektin që gjejnë në rrugë si çiklistë.

Me natyrën e paprekur, traditën dhe mikpritjen karakteristike, Kolonja po dëshmon se turizmi sportiv dhe ai i gjelbër mund të shndërrohen në një mundësi të rëndësishme zhvillimi për zonën, duke sjellë gjithnjë e më shumë vizitorë nga vende të ndryshme të Europës.

Gazetare: Eftjola Fili

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›