E Enjte, 5 Nëntor 2026

Kombëtarja e vajzave, miqësore me Rumaninë më 3 dhjetor

TIRANË, 23 nëntor /ATSH/ Kombëtarja shqiptare e vajzave do të zhvillojë një ndeshje miqësore me përfaqësuesen e Rumanisë. Federata e Futbollit ka rënë dakord me federatën rumune që ky takim të luhet më 3 dhjetor, në orën 17:00, në stadiumin “Eugen Popescu” në qytetin e Târgoviștes në Rumani.

Federata Shqiptare e Futbollit bën me dije se vajzat kuqezi do të nisin grumbullimin nën drejtimin e trajnerit Armir Grima më 25 nëntor në Tiranë, ndërsa tekniku shqiptar do të shpallë listën me futbollistet e grumbulluara pas pak ditësh.

Gjatë periudhës së grumbullimit, stafi teknik ka planifikuar edhe një test miqësor ndaj ekipit të djemve U-15 të Elite Youth Academy. Ky test do të luhet më 28 nëntor, në orën 14:00, në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”.

Stafi kuqezi ka vendosur që të shfrytëzojë datat e FIFA-s për të zhvilluar këtë grumbullim dhe këtë miqësore kundër Rumanisë, si një mundësi për të testuar skuadrën dhe për të vëzhguar elementet e reja. Pak javë më parë, Shqipëria njohu edhe kundërshtaret e Ligës së Kombeve që janë Çekia, Ukraina dhe Kroacia.

Fushata eliminatore do të nisë në muajin shkurt dhe do të përfundojë në muajin qershor 2025.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›