Mashtronin me vajin e ullirit bio, arrestohet babai, në kërkim djali

TIRANË, 23 nëntor/ATSH/ Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar, pas denoncimit të marrë nga gazetarët e një emisioni investigativ arrestuan në flagrancë shtetasin A. A., 56 vjeç, si dhe shpallën në kërkim djalin i tij shtetasi D. A, 29 vjeç, të dy banues në fshatin Tapi, Kuçovë, për veprat penale “fshehja e të ardhurave” dhe “mashtrimi me produktet ushqimore”, kryer në bashkëpunim.
Nga veprimet hetimore të kryera, ka rezultuar se shtetasit A. A. dhe D. A në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë përshtatur në banesën e tyre një ambient ku përgatisnin përzjerje të vajrave të ndryshëm dhe produkteve të panjohura, më pas i reklamonin në faqen e Facebook “Vaj ulliri bio jugu” dhe i shisnin si vaj ulliri bio.
Nga veprimet hetimore është dokumentuar ligjërisht fakti se autorët e dyshuar i përgatisnin këto produkte në banesën e tyre dhe me pas i tregtonin te shtetas të ndryshëm në të gjithë vendin nëpërmjet një poste private.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar rreth 3000 litra lëndë vajore e papërcaktuar, 1000 litra, e dyshuar vaj kikiriku, një lap-top dhe printeri me të cilin printoheshin etiketat postare, 2 900 000 lekë dhe 1800 euro, të cilat dyshohet se janë përfituar nga kjo veprimtari e kundërligjshme.
/r.e/