Komici: Emërimi i kryetarëve të gjykatave deri në vitin 2028, që KLGJ të mos zvarrisë procedurat

TIRANË, 20 janar /ATSh/ Deputeti Olsi Komici në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale iu përgjigj sot shqetësimit të ngritur nga Shoqata e Gjyqtarëve në lidhje me emërimin e kryetarëve të gjykatave.
Teksa shqyrtohej projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr. 96/2016 ‘Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipëris뒔, Komici tha se është lënë një afat që kryetarët e gjykatave të rrinë në detyrë deri në fund të vitit 2028, por kjo pikë është e diskutueshme.
Komici theksoi se viti 2028 është vendosur për të caktuar një afat për KLGJ-në, në mënyrë që mos të krijohet një vakuum institucional.
“Në rast se bëhet fjalë për ‘deadline’ në lidhje me kryetarët e gjykatave, që është dhe shqetësimi kryesor i Shoqatës së Gjyqtarëve, është lënë një afat që kryetarët e gjykatave apo zëvendëskryetarët të rrinë në detyrë deri në fund të vitit 2028. Që kur bëra prezantimin e nismave ligjore, e lashë si pikë për ta diskutuar, hapa kartat e diskutimit në këtë komision. Logjika dhe ideja ime ka të bëjë me faktin se vërtetë nga ana e KLGJ është miratuar në rregulloren përkatëse për zgjedhjen e kryetarëve të gjykatave, por unë mbaj parasysh që procesi i vlerësimit të pasurisë, integriteti dhe aftësive profesionale të të gjithë kandidatëve për kryetarë gjykatash, është një proces që do të dojë një kohë të konsiderueshme.
“Pra ne mund të dimë datën se kur do të fillojë ky proces, por nuk mund të dimë datën se kur përfundon ky proces, i cili mund të vazhdojë për muaj, por mund të vazhdojë dhe për një 1 vit apo 2 vite. Është një proces realisht mjaft kompleks, ku përveç marrjes së analizës së informacionit që bëjnë Këshillat përkatëse, ka të bëjë me faktin me ndërthurjen e këtij informacioni dhe pika më e vështirë është në vlerësimin përfundimtar që u bëhet kandidaturave.
“Pikërisht, për të shmangur këtë vakuum që mund të krijohet, në kohë dhe institucional, kam propozuar që të vendoset një afat, pra që është viti 2028, në mënyrë që mos të lëmë bosh institucionin e kryetarit të gjykatës, pra të këtë një vazhdimësi ky institucion, ky rol, qoftë ligjor dhe kushtetues, por nga ana tjetër përcaktojmë dhe një afat për KLGJ-në. Pra në bazë të Rregullores, ke të drejtën ta fillosh procesin, por jo ta zgjasësh pafund. Kam vendosur vitin 2028, por që është i diskutueshëm, është relativ”, tha Komici.
Komici shtoi se “ligji përcakton afatin 3-vjeçar të atyre që janë në detyrë, por deadline (afati i fundit) është që mos të zvarrisin pafund procedurat”.
“Një propozim mund të jetë që KLGJ të nisë procedurën për zgjedhjen e kryetarit dhe mos të kalojë afati 3-vjeçar i atyre që janë në detyrë”, tha ai.
Deputetët e Partisë Demokratike nuk morën pjesë në mbledhjen e komisionit.
/m.q/r.e/a.f/