E Diel, 1 Nëntor 2026

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nis strategjinë për edukimin e votuesve, fokus te komunitetet

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka sinjalizuar nisjen e përgatitjeve për proceset e ardhshme zgjedhore, duke mos pritur vitin elektoral për të adresuar problematikat e edukimit dhe përfshirjes së votuesve.

Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi njoftoi sot nisjen e një cikli takimesh strategjike me aktorë të shoqërisë civile, me synimin për të garantuar një proces më transparent dhe gjithëpërfshirës.

Fokusi te minoritetet dhe edukimi

“Stacioni i parë” i kësaj nisme, siç e quajti Celibashi, ishte takimi me Institutin e Kulturës Romani në Shqipëri (IRCA) dhe organizatën International IDEA.

Ky takim konfirmon vullnetin e KQZ-së për t’u fokusuar te grupet e margjinalizuara dhe për të siguruar që zëri i çdo target-grupi të dëgjohet në kutinë e votimit.

“Sot nisëm një seri takimesh strategjike me të gjithë partnerët tanë të shoqërisë civile, për të projektuar një proces zgjedhor më gjithëpërfshirës dhe të informuar. Institucioni nuk po pret vitin e zgjedhjeve për të vepruar,” u shpreh Celibashi.

Tre shtyllat e strategjisë

Sipas kreut të KQZ-së, ky bashkëpunim bazohet në tre prioritete kryesore:

Edukimi i zgjedhësve, përdorimi i metodave inovative për të informuar qytetarët.

Fuqizimi i zërit qytetar, përfshirja e çdo grupi shoqëror në proces.

Respektimi rigoroz i standardeve ndërkombëtare në çdo hap të procesit.

Celibashi paralajmëroi se ky ishte vetëm fillimi i një “maratone bashkëpunimi” me të gjithë aktorët që besojnë te vota e lirë, duke theksuar se KQZ do të intensifikojë kontaktet me publikun shumë kohë përpara se qytetarët t’u drejtohen kutive të votimit.

  • /rtsh.al/

    Më shumë nga Aktualitet

    Të gjitha ›