Komisioni Rregullator ndryshon rregulloren: Rritet aksesi për subjektet zgjedhore, më shumë transparencë dhe kompetenca për administratën

Komisioni Rregullator ka miratuar ditën e sotme disa amendime thelbësore në rregulloren e tij të brendshme. Ky vendim vjen si një masë për të garantuar një funksionim më efikas dhe për t’iu përgjigjur dinamikave të reja të procesit zgjedhor.
Ndryshimet e miratuara prekin katër shtylla kryesore, duke nisur nga mënyra e organizimit të mbledhjeve e deri te formatimi i akteve ligjore.
Sipas rregullores së re, saktësohen procedurat e thirrjes dhe administrimit të mbledhjeve, duke synuar eliminimin e zvarritjeve procedurale. Një rol kyç merr Sekretari i Përgjithshëm, të cilit i forcohen kompetencat në mbështetjen logjistike dhe përgatitjen e dokumentacionit, çka pritet të sjellë vendimmarrje më të shpejta.
Gjithashtu, institucioni hap dyert për më shumë vëzhgim. Rregullorja parashikon rritjen e aksesit për subjektet zgjedhore dhe organizatat e interesuara në mbledhje, duke rritur transparencën e procesit. Së fundmi, të gjitha aktet e miratuara do të unifikohen në një format standard, për të qenë më të qarta dhe të lexueshme për të gjitha palët.
/rtsh.al/