Komisioni hetimor për TIMS, Balla: Duhet zhvilluar me dyer të mbyllura, kam dokument të klasifikuar si “sekret shtetëror”

Ministri i Brendshëm Taulant Balla, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku dhe ish-drejtori i Departamentit të IT në Policinë e Shtetit Ervin Muça ishin thirrur për ditën e sotme, që të dëshmonin në Komisionin Hetimor për rrjedhjen e të dhënave nga sistemi TIMS.
Ministri i Brendshëm i është drejtuar me një shkresë këtij komisioni, ku argumenton se informacionet që ai disponon për këtë çështje bazohen në dokumentacion dhe të dhëna të klasifikuara si “sekret shtetëror” dhe se anëtarët e komisionit duhet të jenë të pajisur me Certifikatë Sigurie Personeli.
Balla vlerëson gjithashtu që mbledhja të zhvillohet me dyer të mbyllura në përputhje me detyrimet ligjore për mbrojtjen e këtij informacioni. Në kërkesën e tij ai sjell në vëmendje gjithashtu, se çështja “TIMS” është objekt hetimi penal e për pasojë të dhënat nuk mund të bëhen publike për shkak të nevojave hetimore që lidhen me këtë procedim penal në proces e sipër.
“Gjithashtu rezulton se çështja TIMS është objekt hetimi penal nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë e për pasojë, të dhënat nuk mund të bëhen publike për shkak të nevojave hetimore që lidhen me këtë procedim penal në proces e sipër”, thuhet në shkresën dërguar nga ministri i Brendshëm në Kuvend.
Por kryetari i këtij komisioni Ervin Salianji ka refuzuar kërkesën e ministrit të Brendshëm Taulant Balla që mbledhja gjatë dëshmisë së tij të zhvillohet me dyer të mbyllura.
“Nuk jemi në kushtet kur komisioni do shqyrtojë ndonjë dokument shtetëror. Nuk ka sekret, dokumentet janë administruar”, tha Salianji./vizionplus.tv
