E Diel, 1 Nëntor 2026

Komisioni i Sigurisë miraton ndryshimet në ligjin për SHISH, forcohet roli në mbrojtjen e sigurisë kombëtare

TIRANË, 29 qershor /ATSH/ Nën drejtimin e kryetarit Bledar Çuçi, Komisioni për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes i Kuvendit mori në shqyrtim sot projektligjin për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për Shërbimin Informativ Kombëtar”.

Të pranishëm për të bërë shpjegimin e propozimeve për ndryshim ishin Eriona Ismaili, ministre e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin si dhe përfaqësues nga Shërbimi Informativ Kombëtar.

Në fillim të fjalës së saj Ismaili përmendi domosdoshmërinë e këtyre ndryshimeve në ligjin ekzistues me qëllimin, që objekti i ligjit të qartësohet për t’iu përgjigjur fenomeneve që cenojnë sigurinë kombëtare.

“Që nga miratimi i këtij akti, SHISH-i po përballet me luftën kundër krimit të organizuar korrupsioni, prodhim dhe trafikim narkotikësh, në kuadër të grupit të strukturuar, pastrimi i parave dhe i produktit kriminal, terrorizmit, si dhe fenomeneve të fenomene, dhe është e domosdoshme që objekti i ligjit të qartësohet për t’iu përgjigjur këtyre fenomeneve”, tha ministrja Ismaili.

Ismaili shtoi se ndryshimet dhe shtesat e propozuara me këtë projektligj janë në funksion të përmirësimit të dispozitave në ligjin ekzistues. Ndër këto ndryshime ministrja përmendi emërtimin “Shërbimi Informativ Kombëtar” të zëvendësohet me “Shërbimi Informativ i Shtetit”.

Në cilësinë e relatorit Agron Malaj shtoi se nga vlerësimi i ligjit ekzistues dhe efektivitetit të zbatimit të tij në veprimtarinë e SHISH-it, rezulton se disa dispozita janë të përgjithshme dhe lënë hapësirë për përmirësim dhe qartësim.

“Ndryshimet në këtë projektligj janë parashikuar për të siguruar një kuptim dhe zbatim më të mirë të objektit të veprimtarisë së SHISH-it, duke marrë parasysh veçanërisht vështirësitë dhe problematikat e hasura, por, gjithashtu edhe eksperiencën e fituar gjatë zbatimit të tij”, tha Malaj.

Anëtarët miratuan në parim nen për nen dhe në tërësi projektligjin në fjalë.

Komisioni vijoi me seancë dëgjimore mbi raportimin vjetor për vitin 2025 të Shërbimit Informativ Kombëtar (SHIK) dhe seancë dëgjimore mbi raportimin vjetor për vitin 2025 të Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes (AISM), të cilat për shkak të informacioneve të klasifikuara u zhvilluan me dyer të mbyllura.

/m.q/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›