Komuniteti LGBTQI+ marshim në Tiranë për mundësi të barabarta

TIRANË, 24 maj /ATSH/ Anëtarë dhe mbështetës të komunitetit LGBTIQ+ zhvilluan sot në Tiranë “Paradën e Krenarisë” (Tirana Pride). Me pankarta në duar ku thuhej “Liri barazi dhe siguri”, aktivistë të LGBTQI+ marshuan nga qendra e kryeqytetit duke vijuar më pas në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Në këtë marshim ata kërkuan më tepër të drejta për anëtarët e komunitetit të tyre dhe për familjen LGBTQI+. I pranishëm ishte edhe ambasadori i Bashkimit Europian Silvio Gonzato, i cili tha se për çështjet LGBTQI+ duhet të ketë mbrojtje më të mirë ligjore.
“Çfarëdo lloj diskriminimi në gjuhë, në besim fetar, në mendim politikë ose mosha dhe çdo gjë tjetër përfshirë orientimin seksual është e ndaluar dhe për këtë arsye jam këtu sot. Jam i kënaqur që jam këtu edhe me miken time Albana (Koçiu, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale). Albana e di që ke një punë të vështirë, por dua që të them sot se ne jemi këtu sot që të jemi përkrah jush dhe t’ju mbështesim, puna që bëni ju dhe ministria është e rëndësishme për anëtarësimin e vendit në BE. Dhe jemi këtu për të përmbushur ato angazhime për planin e veprimet për çështjet LGBTQI+, duhet që të ketë qasje në shërbime që të jenë miqësore dhe të ketë mbrojtje më të mirë ligjore. Sepse çfarë ky komunitet kërkon nuk është dhembshuria, ky komunitet kërkon respekt”, tha ai.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Albana Koçiu në fjalën e saj tha se nuk duhet që të ketë diskriminim ndaj këtij komuniteti.
“Janë në zbatim plane veprime dhe nuk mjafton. Gjithkush ka të drejtë të ndihet i barabartë. Nuk duhet të ketë diskriminim për mënyrën se si jeton apo orientimin që ka një person. Nuk ka nevojë vetëm për strategji dhe plan veprimi, por ka nevojë edhe për një dialog të përbashkët dhe të përditshëm që çdo njeri duhet që të jetojë i lumtur dhe të zgjedh mënyrën e tij se si kërkon që të funksionojë në jetën e tij”, u shpreh Koçiu.
I Ngarkuari me Punë i Ambasadës Gjermane, Thilo Schroeter, mori sot pjesë në Paradën e Krenarisë në Tiranë u shpreh se diversiteti është forca jonë dhe pjesë e vlerave evropiane
“Jam i lumtur që sot jam pjesë e Tirana Pride, së bashku me anëtarë të komunitetit LGBTQI+ në Shqipëri dhe miqtë e tyre – një festë e gëzueshme, shumëngjyrëshe dhe plot krenari. Së bashku me shumë diplomatë dhe diplomate nga vende të ndryshme evropiane, duam si ambasadë gjermane të theksojmë: Diversiteti është forca jonë dhe pjesë e vlerave evropiane. Dashuria dhe përgjegjësia meritojnë respekt dhe mbështetje, paçka se kë dashuron. Të drejtat e homoseksualëve dhe transgjinorëve janë pjesë e pandashme e të drejtave të njeriut. Pikërisht këtë po festojmë sot në Tirana Pride”, tha Schroeter.
“Gjermania qëndron në krah të diversitetit dhe të drejtave të personave LGBTQI”, nënvizoi ambasada gjermane në Tiranë.
Parada e LGBTQI+ është një marshim që organizohet nga komuniteti LGBTQI+ për të kërkuar të drejta të barabarta, për të rritur ndërgjegjësimin dhe për të shprehur krenarinë për identitetin dhe orientimin seksual.
Nga krahu tjetër, ambasadorja Elissa Golberg udhëhoqi delegacionin kanadez në Paradën e Krenarisë Tiranë, duke marshuar krah mbështetësve të të drejtave të komunitetit LGBTQ në Shqipëri. Pjesëmarrja e Ambasadës thekson përkushtimin e palëkundur të Kanadasë për të promovuar shoqëri gjithëpërfshirëse dhe të barabarta.
“Në Kanada, vlerësojmë diversitetin dhe gjithpërfshirjen,” tha Ambasadorja Golberg. “Jemi të vendosur të eliminojmë diskriminimin dhe të mbrojmë barazinë.” “Përkushtimi ynë ndaj të drejtave të njeriut shkon përtej kufijve tanë dhe jemi krenarë që bashkëpunojmë me Shqipërinë në arenën ndërkombëtare—përfshirë në Këshillin e OKB-së për të Drejtat e Njeriut—si dhe në nivel kombëtar, ndërsa ajo vijon të forcojë respektin për të drejtat e njeriut dhe përfshirjen sociale.”
Kanadaja në bashkëpunim me organizata të shoqërisë civile shqiptare, mbështet nisma që synojnë forcimin e kuadrit ligjor për të drejtat e njeriut, qeverisjen demokratike, promovimin e barazinë gjinore, pjesëmarrjen e grave, të drejtat e komunitetit LGBTQ+ dhe promovimin e nje kulture respekti përmes edukimit mbi të drejtat e njeriut.
Në vitin 2024, Kanadaja pati krenarinë të mbështesë edicionin e 19-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut (IHRFFA) dhe, për herë të parë, të bashkëpunojë me Maratonën e Filmit Queer në Tiranë. Këto partneritete ofruan mundësinë për të prezantuar filma të prodhimit kanadez që theksojnë diversitetin dhe ndihmojnë në zgjerimin e kuptimit për identitetet e ndryshme.
“Të drejtat e njeriut janë themeli i paqes dhe sigurisë,” Sikurse theksoi së fundmi Kryeministri ynë i sapozgjedhur, Mark Carney, forca e Kanadasë buron nga fakti që njerëzit mund të jenë vetvetja dhe të duan kë të duan. Duke mbrojtur komunitetet e margjinalizuara dhe duke promovuar gjithpërfshirjen, Kanadaja mund të ndihmojë në ndërtimin e një bote ku të gjithë mund të jetojnë me krenari dhe dinjitet.” Përfundoi Ambassadorja Golberg.