Konferenca “Adriatik 2026”, Sula: Mbi 7 mijë inspektime në terren për sezonin turistik

Forcimi i koordinimit ndërinstitucional, garantimi i sigurisë dhe zbatimi i standardeve evropiane janë thelbësore për zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit shqiptar dhe rritjen e konkurrueshmërisë së vendit si destinacion turistik.
Ky ishte mesazhi kryesor i Inspektorit të Përgjithshëm, Dasnor Sula, në Konferencën Kombëtare për Turizmin “Adriatik 2026”, të mbajtur në Tiranë me temë “Koordinim – Siguri – Standarde Evropiane”.
Sula vlerësoi rritjen e vrullshme të sektorit turistik, të reflektuar në numrin e vizitorëve, investimet dhe promovimin e destinacioneve të reja, duke theksuar nevojën për institucione profesionale dhe të koordinuara. Ai nënvizoi se efektiviteti matet nga aftësia për bashkëpunim ndërmjet strukturave që mbulojnë mjedisin, sigurinë ushqimore, shëndetin publik, tregun, marrëdhëniet e punës dhe administrimin e territorit.
Duke paraqitur të dhënat e sezonit turistik 2026, Sula bëri të ditur se janë kryer 7,018 inspektime, ku janë evidentuar 1,080 raste mospërputhjeje me ligjin. Si rezultat, janë vendosur 59 gjoba dhe janë dhënë 1,021 paralajmërime. “Këto shifra nuk përfaqësojnë thjesht statistika, por punën e përditshme të qindra inspektorëve në mbrojtje të interesit publik”, tha ai.
Sfida kryesore, sipas tij, lidhet me sigurinë ushqimore, mbrojtjen e shëndetit publik, respektimin e standardeve mjedisore, sigurinë e produkteve dhe shërbimeve, mbrojtjen e të drejtave të punëmarrësve dhe luftën kundër informalitetit. Ai theksoi se turizmi shqiptar është i lidhur ngushtë me mbrojtjen e pasurive natyrore dhe cilësinë e mjedisit, duke apeluar për menaxhim të mbetjeve dhe mbrojtje të ekosistemeve.
Inspektori i Përgjithshëm vuri në dukje rëndësinë e digjitalizimit të proceseve inspektuese dhe përdorimit të analizës së riskut për të rritur efikasitetin dhe transparencën. Në kontekstin e integrimit evropian, ai nënvizoi se sfida mbetet jo vetëm harmonizimi i legjislacionit me BE-në, por edhe zbatimi efektiv i tij.
Në përfundim, Sula apeloi për forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ndërtimin e një kulture të re përputhshmërie:
“Koordinimi rrit efektivitetin institucional, siguria ndërton besimin e qytetarëve dhe vizitorëve, ndërsa standardet evropiane garantojnë zhvillim të qëndrueshëm dhe konkurrueshmëri afatgjatë.”
/rtsh.al/