Konferenca e Kryetarëve, Bardhi akuza: Disa deputetë e marrin forcën nga krimi i organizuar. Mbyllja e seancës plenare në shkelje të Kushtetutës

Ka nisur me debate mbledhja e sotme e Konferencës së Kryetarëve. Kreu i grupit parlamentar demokrat Gazmend Bardhi e cilësoi antikushtetuese dhe shkelje të rregullores së Kuvendit, ndërprejen e seancës plenare të 9 tetorit. Bardhi akuzoi Niko Peleshin se nuk ka sjelljen e një kryeparlamentari, por atë të kreut të grupit parlamentar socialist.
“Ajo çfarë keni bërë me seancën e fundit është shkelje e rregullores dhe e Kushtetutës. Po e citoj këtu: “Kërkoi ndërprerjen e seancës për shkak se po merrej fjala për procedurë.”
Zoti Peleshi, ju keni marrë përsipër të drejtoni Kuvendin. Nëse Kuvendi drejtohet nga kryetari i grupit, na e thoni, sepse opozita nuk ka vend në një Kuvend që diktohet nga forcat e kartonave. Nuk mund ta mbyllni Kuvendin pse deputetët po flasin“, tha ai.
Bardhi vijoi me akuza duke thënë se disa prej deputetëve forcën e marrin nga krimi i organizuar.
“Seanca e datës 9 tetor është mbyllur sepse deputetët po flisnin. E kuptoj që në atë Kuvend ka deputetë që forcën e marrin nga krimi i organizuar dhe mendojnë se mund të mbyllin gojën e të tjerëve. Ta harrojnë! Ne nuk marrim urdhra dhe as nuk diktohemi nga krimi i organizuar.
Po e përsëris: ta harrojnë! Nëse ju, zoti Niko Peleshi, nuk e mbani dot atë karrige, lërojani kryetarit të grupit që e keni aty me votat e krimit të organizuar”, deklaroi Bardhi.
/rtsh.al/