I maskuar dhe me armë tentoi të vidhte një argjendari, arrestohet 29-vjeçari me rrezikshmëri shoqërore të lartë

Një 29-vjeçar me rrezikshmëri shoqërore të lartë është arrestuar nga Policia. Në pranga kanë rënë gjithashtu edhe 2 persona të tjerë, si bashkëpunëtorë të 29-vjeçarit.
Ky i fundit në 29 gusht, i armatosur dhe i maskuar me skafandër motomjeti, tentoi të vidhte një argjendari në Shkodër dhe gjatë momentit të ndalimit nga blutë, i është gjetur një sasi kanabisi. Po ashtu, pas kontrollit të banesës që kishte marrë me qira, iu gjet 1 armë zjarri pistoletë, 2 maska silikoni, municion luftarak, 3 pajisje për grirjen e lëndës narkotike, si dhe 550 dollarë (kartëmonedha false).
“Në kuadër të operacionit “Identikiti”, shërbimet e DFPO-së, në bashkëpunim me shërbimet e DVP Shkodër, dhe të Komisariatit të Policisë nr 4, Tiranë, bazuar në informacionet e marra, kapën në lagjen “5 Maji”, Tiranë, duke lëvizur me një automjet tip “Audi”, dhe vunë në pranga shtetasit F. B. alias F. B., 29 vjeç, Xh. D., 21 vjeç dhe E. E., 19 vjeç.
Drejtuesi i automjetit, shtetasi F. B. alias F. B. u vu në pranga sepse Gjykata e Shkodrës më datë 30.09.2025, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vjedhja me armë”, mbetur në tentativë, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”. Nga hetimet dyshohet se ky shtetas është autor i tentativës për të vjedhur në një argjendari, në lagjen “Vasil Shanto”, ku hyri më datë 29.08.2025, i armatosur dhe i maskuar me skafandër motomjeti”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq, në vijim të veprimeve procedurale, u arrestuan në flagrancë dy personat që ndodheshin në automjet me 29-vjeçarin, pasi akuzohen për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
/rtsh.al/