Konferenca e NATO-s për Mbrojtjen Kibernetike në Tiranë, kufizim qarkullimi në disa akse

TIRANË, 8 tetor /ATSH/ Në kuadër të zhvillimit të Konferencës së NATO-s për Mbrojtjen Kibernetike, në datat 8–10 tetor 2025, në Pallatin e Kongreseve, Tiranë, Policia e Tiranës ka hartuar një plan të posaçëm masash, me qëllim garantimin e mbarëvajtjes së këtij aktiviteti, si dhe garantimin e rendit dhe sigurisë publike gjatë tij.
Konkretisht, në funksion të përmbushjes së këtyre qëllimeve, janë ndërmarrë këto masa: “Kufizimi i lëvizjes së automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga semafori pranë Presidencës deri te sheshi “Nënë Tereza” (përfshirë sheshin), rrugën “Gjergj Filipi”, si dhe në aksin që lidh hotel “Marriott” me bulevardin “Dëshmorët e Kombit”;
“Për këmbësorët do të jetë i bllokuar gjatë gjithë periudhës së zhvillimit të konferencës, trotuari nga hyrja e hotel “Rogner” deri te Pallati i Kongreseve”.
Sipas policisë kufizimet do të jenë në fuqi nga ora 07:00 e datës 9 tetor 2025, deri në orën 15:00 të datës 10 tetor 2025.
Policia e Tiranës iu bën thirrje qytetarëve, për mirëkuptim dhe bashkëpunim. Gjithashtu, fton qytetarët të shmangin lëvizjet e panevojshme në zonat e kufizuara, si dhe të respektoni sinjalistikën dhe udhëzimet e punonjësve të Policisë në terren.
/m.q/j.p/