Konferenca e parë për fibrozën cistike zhvillohet në Tiranë

TIRANË, 8 dhjetor /ATSH/ Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale (MSHMS) organizoi në Tiranë konferencën e parë për Fibrozën Cistike, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të MSHMS, Shoqatës së Sëmundjeve të Rralla, lektorëve vendas dhe ekspertëve nga Kosova dhe spitali Bambino Gesu.
Gjatë konferencës u diskutuan arritjet, sfidat dhe strategjitë e mundshme për përballimin e kësaj sëmundjeje të rrallë.
Pjesëmarrësit ndaluan tek perspektiva klinike, ecuria e trajtimit, barnat inovative dhe modulatorët, suplementet, fizioterapia pulmonare dhe proceset e oksigjenoterapisë. Synimi kryesor i aktivitetit ishte përmirësimi i cilësisë së shërbimit për pacientët me fibrozë cistike.
Specialistët e fushës, ndanë praktikat më të mira, përvojat klinike dhe zhvillimet e fundit në trajtimin e fibrozës cistike, duke synuar harmonizimin e trajtimeve dhe përforcimin e kapaciteteve lokale për menaxhimin e pacientëve.
Ky aktivitet shënon një hap të rëndësishëm drejt krijimit të një platforme kombëtare për trajtimin dhe monitorimin e pacientëve me sëmundje të rralla, duke forcuar bashkëpunimin midis institucioneve shëndetësore, shoqatave pacientore dhe ekspertëve ndërkombëtarë.
1 nga 5/e.xh/r.e/ /a.g/