E Premte, 6 Nëntor 2026

Konfiskim i pasurive në Kosovë, rasti ka të bëjë me trafikimin e narkotikëve në Suedi

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka mirëpritur bashkëpunimin e Prokurorisë Speciale të Kosovës me autoritetet e shtetit të Suedisë në një çështje penale në luftimin e trafikimit të narkotikëve dhe shpëlarjes së parave.

Në njoftim thuhet se si rrjedhojë e ndërmarrjes së veprimeve hetimore nga Prokuroria Speciale është arritur që të arrestohet personi me inicialet A.G. dhe t’i konfiskohen pasuritë e fituara me vepra penale.


“Ky rast ka marrë epilog gjyqësor në shtetin suedez dhe përbën precedentin e parë që shteti suedez ka arritur të sekuestrojë pasuri jashtë juridiksionit të vet territorial”, thuhet në njoftim.

Zyra për Rikthimin e Aseteve, e cila funksionon në kuadër të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, së bashku me autoritetet suedeze, do të ndërmarrë hapa të mëtejmë për ekzekutimin final të pasurive të konfiskuara në Kosovë me vendim të plotfuqishëm të autoriteteve suedeze.

Ky rast përbën një shembull të mirë të bashkëpunimit juridik ndërkombëtar, veçanërisht në konfiskimin e aseteve të fituara me vepra penale kudo që ato ndodhen.

Institucioni i Prokurorit të Shtetit mbetet i përkushtuar që të thellojë bashkëpunimin me vendet partnere në luftimin e të gjitha formave të kriminalitetit me element ndërkombëtar.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›