Konflikt mes vëzhguesve në qendrën e numërimit në Tiranë, policia shoqëron 7 persona

TIRANË, 13 maj /ATSH/ Policia e Shtetit njoftoi se ka ndërhyrë dhe ka shoqëruar 7 shtetas që po konfliktoheshin për motive të dobëta në një qendër numërimi të votave në Tiranë.
Sipas njoftimit të Policisë, më datë 12.05.2025, rreth orës 20:15, është kërkuar ndërhyrja e Policisë në KZAZ Nr. 32, në Tiranë, pasi disa vëzhgues të procesit të numërimit (përfaqësues të subjekteve të ndryshme politike) po konfliktoheshin me njëri-tjetrin.
Në përmbushje të procedurës standarde të punës, policia ka ndërhyrë menjëherë dhe ka shoqëruar 7 shtetasit që po konfliktoheshin për motive të dobëta.
Sipas policisë, në përfundim të marrjes së deklarimeve, 7 shtetasit janë lënë të lirë, pas konsultimit me prokurorin e gatshëm, materialet hetimore iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme. /j.p/