Konflikt në një zyrë elektorale te rruga “Ali Demi”, Policia nis hetimin

TIRANË, 29 prill /ATSH/ Policia e Tiranës njofton se rreth orës 14:00 të ditës së sotme, në sallën operative të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë është raportuar një konflikt i ndodhur në rrugën “Ali Demi”, në ambientet e një zyre elektorale.
Sipas informacioneve paraprake të Policisë, në vendin e ngjarjes është konstatuar dëmtimi i xhamit të zyrës, dyshohet me sende të forta. Gjithashtu, gjatë këqyrjes së vendit janë gjetur dy fishekë luftarakë, çka ka intensifikuar më tej hetimet.
Forca të shumta policie dhe grupi hetimor kanë mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes dhe po punojnë për identifikimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar, të cilët janë larguar me një automjet.
Nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të konfliktit dhe identifikimin e motivit.
/a.f//r.e/