Konflikti-MEPJ apel qytetarëve shqiptarë: Shmangni udhëtimet pa domosdoshme në Lindjen e Mesme

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka përsëritur thirrjen drejtuar qytetarëve shqiptarë që të shmangin çdo udhëtim jo të domosdoshëm në rajonin e Lindjes së Mesme.
Në një njoftim zyrtar, Ministria thekson se për shkak të përshkallëzimit të situatës në rajon, si dhe pasigurisë së lartë dhe paparashikueshmërisë së zhvillimeve, qytetarët shqiptarë duhet të shmangin udhëtimet, sidomos ato turistike deri në një njoftim të dytë.
“Në vijim të komunikimeve të mëparshme lidhur me përshkallëzimin në rajonin e Lindjes së Mesme, dhe në kushtet e pasigurisë dhe paparashikueshmërisë së zhvillimeve, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme përsërit thirrjen për qytetarët shqiptarë që të shmangin sa më shumë të jetë e mundur çdo udhëtim jo të domosdoshëm, në mënyrë të veçantë çdo udhëtim për arsye turistike në këtë rajon, deri në një njoftim të dytë. Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme po ndjek me vëmendje zhvillimet dhe do të informojë publikun në mënyrë të vazhdueshme”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme.
/rtsh.al/