E Diel, 1 Nëntor 2026

Kujdesi për shëndetin mendor, në Korçë vihet re ndërgjegjësim në rritje

Në Korçë po vihet re një rritje e numrit të qytetarëve që kërkojnë ndihmë pranë mjekëve psikiatër, duke treguar një ndryshim të dukshëm në mënyrën se si trajtohet shëndeti mendor.

Mjeku Spero Binish bën me dije se kërkesat për konsulta janë shtuar ndjeshëm, kryesisht për probleme që lidhen me ankthin, stresin dhe gjendjet depresive.

Në krahasim me vitet e mëparshme, paragjykimet po zbehen dhe kërkimi i ndihmës po shihet si një hap i domosdoshëm për mirëqenien personale.

“Shërbimi ynë është bërë më i aksesueshëm. Domethënë, kur ata e kuptojnë që nuk mund të funksionojnë, vijnë dhe kërkojnë ndihmë.

Kjo do të thotë që numri i personave që kërkojnë ndihmë nga profesionistët e shëndetit mendor është rritur. Shqetësimet kanë të bëjnë me diagnoza përkatëse, më të rëndësishmet janë shërbimet e ankthit.

Domethënë, ai nuk është në gjendje të funksionojë as në punë, as në familje. Pastaj, çrregullimet e humorit që kryesisht shfaqen me çrregullime depresive, mungesë energjie, ulje të oreksit, mungesë dëshire për të folur, për të dalë nga shtëpia, për të shkuar në punë.

Dhe një pjesë më e vogël janë edhe çrregullimet psikotike, kryesisht kur ankthi është në nivele që kanë dëmtuar cilësinë e jetës, patjetër fillohet me medikamente“, thekson mjeku Binish.

Ndryshe nga më parë, kur këto çështje shpesh anashkaloheshin, sot gjithnjë e më shumë persona po i drejtohen profesionistëve për të marrë ndihmën e duhur.

Sipas tyre, ky zhvillim lidhet me rritjen e informimit dhe me një qasje më të hapur të shoqërisë ndaj shëndetit mendor.

Ekspertët theksojnë se kërkimi i ndihmës nuk duhet parë si dobësi, por si një hap i rëndësishëm drejt përmirësimit të cilësisë së jetës.

Gazetare: G. Manushi

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›