Konflikti në Lindjen e Mesme/ Rriten çmimet e naftës dhe arit, luhatje në tregjet globale

Konflikti në Lindjen e Mesme ka ndikuar edhe tregjet globale duke bërë që nafta Brent të rritet me 6.4% dhe çmimi i arit të zi të kalojë 77 dollarë për fuçi, ndërsa nafta bruto amerikane u rrit me 6.2% që ka çuar në rritje e çmimit të saj në mbi 71 dollarë për fuçi. Sakaq rritje pësoi edhe çmimi i arit. Sulmet ushtarake nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli ndaj Iranit nuk duket se do të reduktohen, ndërsa Teherani u përgjigj me breshëri raketash në të gjithë rajonin, duke rrezikuar përfshirjen e vendeve fqinje në atë konflikt.
Presidenti Donald Trump tha për britaniken “Daily Mail se konflikti mund të zgjasë për katër javë, ndërsa theksoi se sulmet do të vazhdonin derisa të përmbusheshin objektivat e SHBA-së. Ndërkohë Arabia Saudite bëri me dije se ka mbyllur përkohësisht rafinerinë e naftës Ras Tanura pas një sulmi me dronë mbetjet të cilëve shkaktuan zjarr, por pa shkaktuar viktima.
Tashmë e gjithë vëmendja është përqendruar edhe tek Ngushtica e Hormuzit, ku kalon rreth një e pesta e tregtisë botërore të naftës dhe 20% e gazit të lëngshëm natyror. “Zhvillimi më i prekshëm që ndikon në tregjet e naftës është ndalimi efektiv i trafikut përmes Ngushticës së Hormuzit, duke penguar që 15 milionë fuçi në ditë naftë bruto të arrijnë në tregje globale”- thanë ekspertët, duke paralajmëruar se nëse nuk ka ulje të tensioneve pritet rritje e ndjeshme e çmimeve të arit të zi.
Sipas tyre këto zhvillime do të rrezikonin edhe rritjen e çmimeve të mallrave në nivel global, ndërkohë që do të vepronin gjithashtu edhe si një taksë mbi bizneset dhe konsumatorët. Pas përshkallëzimit të konfliktit në Lindjen e Mesme, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Kuvajti mbyllën përkohësisht tregjet e tyre të aksioneve duke përmendur rrethanat e jashtëzakonshme.
/rtsh.al/