Konstituohet Komisioni i Ligjeve, Manja: Raportimi i institucioneve do të fillojë në datën 7 tetor

TIRANË, 30 shtator /ATSH/ Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike është konstituuar sot.
Gjithashtu u miratua edhe kalendari trejavor i punimeve të komisionit për periudhën 29 shtator – 17 tetor 2025 si dhe kalendari i raportimeve vjetore të disa organeve kushtetuese, atyre të ngritura me ligj si dhe institucionet e varësisë për veprimtarinë e tyre për vitin 2024.
Manja bëri të ditur se raportimi i institucioneve do të fillojë në datën 7 tetor, sipas një radhe të përcaktuar dhe mbyllen në datën 14 tetor. Sipas Manjës, janë 14 institucione për raportim dhe komisioni do të mblidhet në datat 7, 8, 9 dhe 14.
Pas diskutimeve, komisioni miratoi me shumicë votash të dy kalendarët.
Në fjalën e tij kryetari i komisionit Ulsi Manja u kërkoi kolegëve ta kthejnë këtë komision në një komision pune, jo debati.
“Do t’ju ftoja bashkërisht që përtej dallimeve tona politike ta kthejmë Komisionin e Ligjeve në një komision pune dhe debatet t’ia lëmë seancës plenare, sepse e konsideroj shumë të rëndësishme punën e këtij komisioni sa i takon ligjbërjes. Është në përgjegjësinë time zbatimi i kësaj rregulloreje”, u shpreh Manja.
Nënkryetari i komisionit, Oerd Bylykbashi tha se ky komision ka në themel zbatimin e Kushtetutës dhe shtoi se janë kaluar ligje haptazi në kundërshtim me Kushtetutën.
“Barra është e madhe, po jo aq sa për të qenë një furrë që nxjerr ligje në dëm të interesit publik. Ky komision ka për detyrë të nxjerrë ligje që i shërbejnë interesit publik. Ky komision të ketë në themel zbatimin e Kushtetutës. Ky komision ka lënë të kalojnë ligje haptazi në kundërshtim me Kushtetutën, ka lënë të kalojnë ligje që kanë pasur interesa të përveçme. Ne kemi për detyrë që procesi legjislativ, ku kemi rolin kryesor si komision, të jetë një proces që respekton hapësirën e deputetit”, tha Bylykbashi.
Në Komision pati debate për ndryshimet në Rregullore për përbërjen e re të komisioneve të përhershme parlamentare. Sipas deputetëve të opozitës, Komisioni për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale shkel kompetencat e përcaktuara në rregulloren e Komisionit për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike.
“Është krijuar një komision tjetër që shkel kompetencat e përcaktuara në rregulloren e këtij komisioni, neni 19. I bie që dhe Xhafa të lexojë të njëjtën rregullore”, tha deputeti i PD-së Gent Strazimiri.
“Është e qartë fusha e përgjegjësisë që kanë komisionet”, u shpreh deputetja e PS-së Aulona Bylykbashi.
Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike
- Ulsi Manja Kryetar
- Damian Gjiknuri Nënkryetar
- Oerd Bylykbashi Nënkryetar
- Aurora Mara Sekretare
- Ermal Pacaj
- Olsi Komici
- Zegjine Çaushi
- Erjona Ismaili
- Aulona Bylykbashi
- Gent Strazimiri
- Saimir Korreshi
- Arjan Ndoja
- Tedi Blushi
- Tedi Mulla
/m.q//a.f//r.e/