Kontrabande dhe falsifikim dokumentesh, deklaruan mallra 46 mijë euro, por vlera reale ishte mbi 237 mijë, administratorët përfundojnë në Prokurori

Dy raste të dyshuara kontrabande dhe falsifikimi dokumentesh janë zbuluar nga Dogana Shqiptare në bashkëpunim me autoritetet greke. Në njërin prej rasteve, mallrat me vlerë mbi 237 mijë euro ishin deklaruar për vetëm 46 mijë euro, ndërsa në rastin tjetër dyshohet se janë përdorur dokumente të falsifikuara për qëllime doganore. Gjithçka është zbuluar pas shkëmbimit të informacionit mes doganave shqiptare dhe atyre greke, ku nga krahasimi i dokumenteve kanë dalë mospërputhje në deklarimet e subjekteve importuese.
Në rastin e parë, dyshohet se subjektet kanë përdorur dokumente të falsifikuara në doganë. Faturat dhe dokumentet e tranzitit të paraqitura në Shqipëri nuk përputheshin me ato që dispononin autoritetet greke. Ndryshimet lidheshin si me vlerën e mallrave, ashtu edhe me të dhënat e marrësve. Doganat nuk kanë bërë të ditur vlerën e mallrave të përfshira në këtë rast.