E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kontrabandë me vlerë 5.5 milionë euro në Morinë, sekuestrohen 2194 celularë dhe 930 kg duhan

Policia Kufitare në bashkëpunim me Autoritetet Doganore finalizuan operacionin e koduar “Tarifa” në pikën kufitare të Morinës, duke goditur një rast të rëndë të kontrabandës së mallrave me akcizë, të destinuara për në Kosovë. Në pranga ranë dy drejtuesit e automjeteve, ndërsa vlera totale e mallrave të sekuestruara arrin shifrën e madhe prej rreth 54.3 milionë lekë (5.5 milionë euro).

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Kukësit, kontrollet e intensifikuara në kuadër të luftës kundër krimit ndërkufitar çuan në ndalimin e dy automjeteve në dalje të Shqipërisë, bazuar në informacione operative.

Gjatë kontrollit të detajuar në automjetin tip “Volkswagen” të drejtuar nga shtetasi F. M., u zbuluan: 2194 celularë; 1006 kuti me medikamente mjekësore të ndryshme; 41 000 tableta mjekësore të ambalazhuara në arka.

Ndërsa në automjetin furgon të drejtuar nga shtetasi B. L., u gjetën plot 62 thasë me duhan, me një peshë totale që arrinte në 930 kilogramë.

Si celularët, ashtu edhe duhani dhe medikamentet, janë mallra për të cilat paguhet akcizë e lartë. Mallrat e sekuestruara bashkë me të dy automjetet janë marrë në cilësinë e provës materiale.

Arrestimet dhe akuzat

Në përfundim të veprimeve procedurale, u arrestuan në flagrancë:

•     Shtetasi B. L., 52 vjeç, banues në Kukës.

•     Shtetasi F. M., 55 vjeç, banues në Kukës.

Të dy akuzohen për veprat penale “Kontrabanda me mallra që paguhet akcizë” dhe “Kontrabanda me mallra të tjera”. Materialet i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›