Kontrolle të shtuara në Velipojë për të ndalur shpërdorimin e ujit të pijshëm

TIRANË, 5 korrik/ATSH/ Në plazhin e Velipojës, një ndër destinacionet më të frekuentuara turistike verore në veriun e vendit, Taskforca e Shoqërisë Rajonale të Ujësjellës Kanalizimeve Shkodër, në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Ujësjellësit dhe Kanalizimeve (AKUK), ka nisur sot një fushatë intensive kontrollesh në të gjitha subjektet dhe bizneset e zonës.
Qëllimi i këtyre kontrolleve është të rrisë ndërgjegjësimin për përdorimin e kujdesshëm të ujit të pijshëm dhe të parandalojë shpërdorimet që rrezikojnë furnizimin me ujë gjatë muajve të verës, kur konsumi rritet ndjeshëm.
Inspektorja e Taskforcës pranë AKUK, Alma Zenelhasani, bëri të ditur se verifikimet në terren synojnë të evidentojnë dhe ndëshkojnë lidhjet e paligjshme në rrjetin e ujësjellësit, të monitorojnë humbjet në sistem dhe të mbledhin detyrimet e prapambetura të bizneseve dhe qytetarëve.
“Jemi në Velipojë për të monitoruar të gjitha lidhjet e paligjshme, për të ndjekur nga afër humbjet në rrjet dhe për të vijuar me mbledhjen e debive. Po sensibilizojmë popullsinë dhe subjektet që uji të mos shpërdorohet, sidomos në këtë sezon shumë të nxehtë ku kërkesa është e lartë”, u shpreh Zenelhasani.
Grupet e kontrollit do të vijojnë punën pa ndërprerje në të gjitha zonat turistike të qarkut Shkodër gjatë sezonit veror, me qëllimin e vetëm për të garantuar furnizim të rregullt me ujë për banorët dhe pushuesit, si dhe për të ndaluar shkeljet në rrjetin e ujësjellës-kanalizimeve.
/a.f/