“Kontrolli i banesës, pa vendim”, Veliaj: Jam në dispozicion të SPAK, Berisha kufomë politike

Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj ka sqaruar në një status të gjatë në rrjetet sociale kontrollin që agjentët e SPAK kryen pak ditë më parë në shtëpinë e tij.
Ai ngre dyshime se efektifët e BKH kishin shkuar në banesën e tij pa një vendim gjykate, por se ai dhe familja e tij mbeten të hapur pa kushte për bashkëpunim me institucionet e drejtësisë.
“Mëngjesin e 6 Dhjetorit bashkëshortja ime, e gjendur në shtëpi vetëm me djalin tonë, më telefonon pasi grupi i prokurorisë së posaçme kishte trokitur në derën e apartamentit. Ndamë bindjen se duhet të ishim plotësisht transparentë me trokitësit tanë. Pavarësisht se pa një vendim gjykate për të hyrë në shtëpi dhe plus një situate të pakëndshme për gjithë lagjen ku jetojmë prej 12 vjetësh, në një pallat të ndërtuar 15 vjet më parë bashkëshortja ime është treguar plotësisht bashkëpunuese dhe transparente me grupin hetimor, për çdo kërkesë të tyre, madje i ka shoqëruar vetë, qoftë në zyrën e saj, qoftë në shtëpinë e prindërve”, shkruan Veliaj.
Më tej Veliaj heq një paralele me kundërshtarët e tij politikë, të cilët janë nën hetim nga spak, duke thënë se pavarësisht hetimit pasurur që po kryhet ndaj tij , ai nuk e sulmon punën e drejtësisë.
“Nuk kemi as llogari në Qipro apo kudoqoftë tjetër, dhe as transferta të majme dhe të padeklaruara për ndërhyrje estetike, si po këta që, kur i kap SPAK-u është Skap, ndërsa kur duan të linçojnë të tjerët në publik është SPAK. Ah po, nuk kemi as para të padeklaruara dhe as taksa të papaguara nga të ardhurat tona, si shumë prej korbave të tyre. Për mua, SPAK-u nuk është i drejtë kur godet kundërshtarët dhe i padrejtë kur më heton edhe mua vetë, qoftë edhe për paditë e bëra nga korbat. Më pëlqen a s’më pëlqen kjo që po ndodh aktualisht në raport me mua dhe a më duken a s’më duken, mua personalisht, të drejta të gjitha veprimet e SPAK-ut ndaj meje e famijes time, kjo nuk ka pikë rëndësie për mua institucionalisht. Prandaj, jo vetëm nuk i kundërvihem në asnjë formë veprimtarisë së prokurorëve dhe hetuesve të SPAK-ut, por e mirëpres që ta kryejnë deri në fund, siç e mendojnë, detyrën e tyre”, sqaron ai.
Veliaj akuzon edhe kreun e Partisë Demokratrike Sali Berishën duke e quajtur atë një kufomë politike.
“Që kjo hienë, e cila nginjet çdo ditë me pisllëqet më të ndyra që nxjerr nga goja, është fundërrina e fundërrinave të këtij kombi, tanimë këtë e di i madh e i vogël. Ai e ka nxirosur vetë portretin e tij para shqiptarëve, si varrmihës i zgjedhjeve të lira, si gardian burgu për liderin e opozitës në vitet ‘90, si zhytës i Shqipërisë në kaos dhe gjakderdhje për pushtetin e tij në ‘97, si minues i demokracisë dhe shantazhues i sistemit të drejtësisë, kur varrosi 26 shqiptarë të gjallë në biznesin e tij familjar në Gërdec, si shantazhues i shtetit shqiptar, kur u kap live duke vrarë në 21 janar, dhe sot si një pengmarrës i opozitës shqiptare, të cilën ka vendosur ta marrë me vete në varr”, shkruan më tej Veliaj.
Kryebashkiaku i Tiranës shprehet së është totalisht në dispoziciom të hetimit, duke e cilësuar këtë si pikë ndarëse me kundërshtarët e tij politik./vizionplus.tv