E Diel, 1 Nëntor 2026

Kontrolli i barnave të rimbursueshme, FSDKSH: Nuk ka ndëshkime kolektive, po verifikojmë fondet

Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH) ka njoftuar zyrtarisht nisjen e një kontrolli të gjerë administrativ që synon verifikimin e gjurmueshmërisë së barnave të rimbursueshme.

Sipas njoftimit për shtyp, ky aksion, i cili bazohet në ligjin për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor, ka për qëllim kryesor garantimin e përdorimit korrekt të fondeve publike dhe mbrojtjen e interesit të qytetarëve.

Për të adresuar shqetësimet e tregut, FSDKSH ka zhvilluar edhe një takim me përfaqësues të Urdhrit të Farmacistëve dhe rreth 50 subjekte farmaceutike.

“Takimi u kërkua nga vetë Urdhri i Farmacistëve për të sqaruar procedurat e ndjekura. Gjatë diskutimit, përfaqësuesit e Fondit dhanë garanci se procesi është ende në fazë verifikimi dhe nuk ka vend për panik.”, thuhet në njoftim.

“Nuk është marrë ende asnjë vendim përfundimtar dhe nuk ka ndëshkime kolektive. Procedurat e kontrollit po zhvillohen në përputhje të plotë me ligjin,” u theksua në takim.

Procesi i verifikimit FSDKSH bën me dije se procesi i kontrollit është iniciuar jo vetëm nga analiza e të dhënave në sistemet zyrtare, por edhe nga vetë kërkesat e disa subjekteve farmaceutike.

Aktualisht, ekspertët e Fondit janë duke analizuar informacionin dhe duke shqyrtuar observacionet (kundërshtitë) e paraqitura nga farmacitë. Institucioni ka premtuar transparencë maksimale, duke bërë të ditur se në përfundim të procesit do të publikohet Raporti Përfundimtar i Kontrollit.

Fondi rithekson angazhimin për dialog me të gjitha palët, me qëllim që skema e sigurimit shëndetësor të funksionojë në mënyrë të qëndrueshme dhe ligjore.

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›