E Hënë, 2 Nëntor 2026

Korçë – Asnjë vatër zjarri! Zjarret e deritanishme, dëme në pyje me shkurre dhe bimësi të ulët

Gjatë sezonit veror të këtij viti, qarku i Korçës është përballur me disa vatra zjarresh të izoluara, por situata ka qenë dukshëm më e kontrolluar krahasuar me vitet e kaluara.

“Qarku ynë është përfshirë nga jo shumë vatra zjarri. Fatmirësisht i kemi administruar mirë, me një nivel të lartë të angazhimit të kapaciteteve të deklaruara të njësive e vetë qeverisjes vendore. Në total për muajin korrik dhe gusht janë 2.300 forca të angazhuara dhe sipërfaqja e prekur është afërsisht 700 hektarë, ku vetëm 130 ha nga kjo është pyll, ndërkohë pjesa tjetër bimësi e ulët. Rasti më i fundit, ai në parkun natyror të Gërmenjit, afër Shelegurit, në zonën kufitare me Greqinë, ka qenë një sfidë jo e lehtë, sepse është zonë pyjore e thellë dhe distanca ishte diku te tri orë për të shkuar”, thotë Nertil Jole, prefekt i Qarkut Korçë.

Prefekti Nertil Jole shtoi se një rol të madh në këtë rezultat ka pasur bashkëpunimi i ngushtë mes institucioneve vendore, koordinimi i shpejtë në terren dhe rritja e ndërgjegjësimit të qytetarëve për parandalimin e zjarreve.

“Nga informacioni i Drejtorisë Vendore të Policisë, për periudhën korrik–gusht kanë qenë 11 raste  për zjarrvënie, prej të cilave kemi dy të arrestuar dhe tetë persona janë proceduar. Ndërkohë kemi në proces edhe raste të pazbuluara. E vë në dukje këtë fakt, sepse dua të theksoj që një zjarrvënie e qëllimshme konsiderohet një vepër penale, ndaj është shumë e rëndësishme që qytetarët të kenë nivelin e maturisë dhe të përgjegjësisë”, apelon Jole.

Ndryshe nga vitet e tjera, këtë verë nuk është shënuar asnjë rast me rrezikim të banesave apo komuniteteve, ndërsa dëmet materiale kanë qenë minimale. 

Gazetare: G. Manushi  

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›