E Hënë, 2 Nëntor 2026

Korçë / Ushtronin lojëra fati në një lokal në kundërshtim me ligjin, arrestohen dy persona, shpallet në kërkim organizatori

Policia e Korçës ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Slot Machine”, duke goditur një rast të ushtrimit të paligjshëm të veprimtarisë së lojërave të fatit nëpërmjet makinetave elektronike. Operacioni u zhvillua pas informacioneve të siguruara nga qytetarët dhe hetimeve të kryera nga strukturat e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”.

Gjatë aksionit, u arrestuan në flagrancë dy shtetas:

Th. S., 53 vjeç, banues në Korçë, i cili kishte dhënë me qira lokalin ku zhvillohej aktiviteti i paligjshëm;

M. Sh., 34 vjeç, banues në Korçë, i punësuar në lokalin ku ishin vendosur makinetat.

Ndërkohë, D. M., 50 vjeç, banues në Korçë, u shpall në kërkim si organizatori i dyshuar i aktivitetit të paligjshëm. Ai akuzohet për disa vepra penale, përfshirë “Organizimi i lotarive të palejuara”, “Fshehja e të ardhurave”, “Mospagimi i taksave dhe tatimeve” dhe “Punësimi i paligjshëm”.

Nga kontrolli në lokal u sekuestruan 10 makineta të lojërave të fatit dhe 3 aparate celularë, që dyshohet se përdoreshin në funksion të këtij aktiviteti të ndaluar me ligj.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme ligjore.

Policia e Korçës thekson se mbetet e vendosur në luftën kundër aktiviteteve të paligjshme dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të ngjashëm në numrin 112 ose në komisariatin më të afërt.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›