E Diel, 1 Nëntor 2026

Korçë/ Gjykata lë në burg autorin e dyshuar për vrasjen e efektivit të policisë dhe plagosjen e kolegut të tij

Në ambientet e Spitalit Universitar të Traumës në Tiranë u zhvillua këtë të shtunë (7 qershor), seanca për vlerësimin e masës së sigurisë ndaj shtetasit Violand Braçellari, i dyshuar si autor i vrasjes së një efektivi të Policisë së Shtetit Enea Mekolli dhe plagosjes së një punonjësi tjetër policie Edison Adri.

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë vendosi të vlerësojë si të ligjshëm arrestin në flagrancë të të dyshuarit dhe caktoi ndaj tij masën e sigurimit “Arrest në burg”.

Sipas vendimit, Violand Braçellari dyshohet për kryerjen e veprave penale “Vrasje e punonjësve të Policisë së Shtetit”, “Vrasje e punonjësve të Policisë së Shtetit” e mbetur në tentativë, si dhe për armëmbajtje pa leje dhe mbajtje të armëve të gjuetisë dhe municioneve në kundërshtim me ligjin.

Gjykata ngarkoi Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë me ekzekutimin e vendimit, ndërsa palët kanë të drejtë ta ankimojnë atë në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm brenda pesë ditëve nga komunikimi i vendimit të arsyetuar.

Vendimi u shpall më 7 qershor në ambientet e Spitalit Universitar të Traumës, ku i dyshuari ndodhet nën kujdes mjekësor.

Ngjarja ndodhi para tre ditësh në Lozhan të Maliqit.

Vendimi:

1. Vleftesimin e ligjshëm të arrestit në flagrancë të personit nën hetim V.B, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasje e punonjësve të policisë së shtetit”, “Vrasje e punonjësve të policisë së shtetit” ngelur në tentativë, “Mbajtje pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” në formën e mbajtjes së armëve të zjarrit në ambiente publike dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive” në formën e mbajtjes së armës së gjuetisë dhe municionit, parashikuar prej neneve 79/b, 79b-22, 278/1 dhe 280 të Kodit Penal.

2. Caktimin ndaj personit nën hetim V.B, të masës së sigurimit personal “Arrest në burg” të parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale.

3. Për ekzekutimin e këtij vendimi ngarkohet Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë.

4. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, brenda 5 (pesë) ditëve, duke filluar ky afat nga dita e nesërme e komunikimit të vendimit të arsyetuar të gjykatës.

U shpall nga Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë në ambientet e Spitalit Universitar të Traumës Tiranë, sot më datë 07.06.2026.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›