E Hënë, 2 Nëntor 2026

Korçë, nis vjelja e qershive – prodhimi paraqitet i bollshëm, por mungon fuqia punëtore

Në zonën e Korçës ka nisur pjekja e frutit të qershisë, duke shënuar edhe fillimin e sezonit të vjeljes për fermerët e rajonit. 

Këtë vit, prodhimi paraqitet i mbarë, falë kushteve të favorshme klimatike dhe kujdesit të treguar gjatë gjithë ciklit të kultivimit. Fermerët shprehen optimistë për rendimentin dhe cilësinë e frutit, duke theksuar se qershitë kanë pjekje të mirë dhe pritet të dalin në treg me standarde të larta. 

“Bulati që është dora e parë, të gjithë nuk patëm dëmtime. Mund të ketë pasur ndonjë varietet tjetër, por këtu në fshatin Voran paraqitet mirëqershia.” 

Sipas fermerit, nëse çmimi i shitjes do të vazhdojë të mbetet në nivelet aktuale, të ardhurat do të jenë të kënaqshme dhe do të mbulojnë kostot e prodhimit. 

“Tregtarët e rretheve nga Tirana, nga Durrësi, nga Vlora. Kemi pasur tregtarë prej vitesh dhe punojmë gjithmonë me ta. Ka 20 vjet që punojmë së bashku me tregtarët edhe me mua. Për momentin mund të jetë 1500 lekë, 1300 lekë. Po, në këtë çmim besoj se po.” 

Megjithatë, pavarësisht pritshmërive pozitive për sezonin, fermerët përballen me një problem të vazhdueshëm: mungesën e fuqisë punëtore për vjeljen e prodhimit. 

“Të kënaqur janë me pagesa sepse një punëtor punon nga ora 8:00 deri në 1:30 të drekës dhe merr 25.000 lekë (të vjetra) në bazë të punës që bën. Mund ta bëjë edhe me normën, mund të marrë edhe më shumë, deri në 30 apo 35.000 lekë në ditë. Problemi është që nuk ka shumë të rinj. Edhe me këtë rast u bëj thirrje të gjitha zonave të Korçës: kush ka nevojë për punë të vijë të punojë këtu në fshatin Voran sepse punë ka për të gjithë.” 

Qershitë janë ndër frutat që kultivohen masivisht në Qarkun e Korçës dhe mbillen mbi 500 ha tokë. 

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›