OKB: Jemi të shqetësuar për situatën në Liban, të respektohet armëpushimi

Organizata e Kombeve të Bashkuara ka shprehur alarmin e saj të thellë për përshkallëzimin e situatës në Liban jugor, ndërsa Izraeli ka zgjeruar ofensivën e tij ushtarake, teksa negociatat për t’i dhënë fund luftës midis SHBA-së dhe Iranit janë ende larg.
“Jemi thellësisht të alarmuar nga përshkallëzimi i aktiviteteve ushtarake në Libanin jugor dhe përtej tij. Ne u bëjmë thirrje të gjithë aktorëve që të respektojnë ndërprerjen e armiqësive dhe të shmangin çdo përshkallëzim të mëtejshëm”, tha Stéphane Dujarric, zëdhënës i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, António Guterres.
Deklarata e OKB-së vjen në një moment tensionesh, pasi Izraeli ka intensifikuar operacionet e tij në Liban, duke rrezikuar stabilitetin e rajonit.
Negociatat për de-eskalim mes palëve duken të vështira, ndërsa thirrjet ndërkombëtare për respektim të armëpushimit po shtohen.
/rtsh.al/