Korrupsion në zgjedhjet e 2023 në Rrogozhinë, GJKKO dënon 5 persona

TIRANË, 6 shkurt /ATSh/ Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dënoi sot pesë persona të akuzuar për korrupsion në zgjedhjet lokale të përsëritura të 23 korrikut të vitit 2023 në Rrogozhinë.
Bëhet fjalë për ish-kandidatin e Partisë Demokratike, Shkëlqim Hoxha si dhe bashkëpunëtorët e tij Limon Shala, Fatmir Thaçi, Engjell Cara dhe Florant Saraçi.
Vendimi u mor sot nga trupi gjykues i përbërë nga gjyqtaret Atalanta Zeqiraj, Flora Hajredinaj dhe Irena Gjoka dhe çështja u gjykua me procedurë të shkurtuar.
Të pandehurit Engjell Cara, Limon Shala, Fatmir Thaçi dhe Florant Saraçi u dënuan për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, të kryer në bashkëpunim dhe më shumë se një herë.
Ata u dënuan fillimisht me 1 vit e 6 muaj burgim, por për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi u ul me një të tretën, duke përfunduar në 1 vit burgim për secilin. Gjykata vendosi pezullimin e ekzekutimit të dënimit dhe vënien e tyre në shërbim prove për një periudhë 2-vjeçare, me kusht që të mos kryejnë vepra të tjera penale dhe të mbajnë kontakte me Shërbimin e Provës.
Ndërkohë, i pandehuri Shkëlqim Hoxha u shpall fajtor për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”. Ai u dënua fillimisht me 6 muaj burgim, por pas uljes së dënimit me një të tretën, u dënua përfundimisht me 4 muaj burgim. Gjykata vendosi zëvendësimin e dënimit me burg me shërbim prove për gjashtë muaj.
Gjithashtu, gjykata urdhëroi kthimin e aparateve celularë të sekuestruar shtetasve Limon Shala, Fatmir Thaçi dhe Engjell Cara.
Kundër këtij vendimi lejohet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 15 ditëve nga njoftimi i vendimit të arsyetuar.
/m.q/j.p/