E Diel, 1 Nëntor 2026

Kos: Shqipëria ka shënuar hap të madh në procesin e anëtarësimit në BE

TIRANË, 26 maj /ATSH/ Komisionerja Europiane për Zgjerimin, Marta Kos deklaroi sot, pas përfundimit të Konferencës së 8-të Ndërqeveritare Shqipëri–BE, se Shqipëria ka bërë një hap të rëndësishëm në procesin e anëtarësimit.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp me zëvendësministren për Çështjet Europiane të Qipros, Marilena Raouna, dhe Kryeministrin Edi Rama, Kos u shpreh se Shqipëria ka shënuar një hap të madh në procesin e integrimit europian.

“Jemi këtu për të shënuar një hap të madh të Shqipërisë në procesin e anëtarësimit. Pas Malit të Zi në vitin 2024, Shqipëria është e dyta nga vendet tona kandidate që ka plotësuar piketat e ndërmjetme të shtetit të së drejtës, të caktuara në tetor 2024”, tha ajo.

Sipas saj, kjo është një arritje për t’u vlerësuar dhe rezultat i një pune të gjatë që nuk realizohet brenda ditës.

“Kur konfirmojmë këto piketa të ndërmjetme për shtetin e së drejtës, konfirmojmë se puna e bërë vitet e fundit në këtë fushë ka qenë e suksesshme”, u shpreh Kos.

Ajo vlerësoi miratimin e ligjeve për mbrojtjen e të drejtave themelore dhe grupeve në nevojë, si dhe hapat e ndërmarrë për garantimin e të drejtës për një proces të rregullt ligjor për të gjithë qytetarët.

Komisionerja përmendi gjithashtu procesin e vetingut në sistemin e drejtësisë, përmes të cilit janë shkarkuar ose verifikuar qindra gjyqtarë dhe prokurorë, si dhe krijimin e institucioneve të reja të qeverisjes së gjyqësorit, që kanë ulur ndikimin politik në drejtësi.

Ajo vlerësoi edhe ngritjen e SPAK, duke e cilësuar atë si institucionin flamur të luftës kundër korrupsionit në Shqipëri dhe një nga strukturat më të besueshme në vend.

“Ky progres reflekton mbështetjen e fortë të popullit shqiptar për reforma të thella në sistemin e drejtësisë. Fuqia transformuese e procesit të anëtarësimit në BE duhet të ndihet mbi të gjitha nga qytetarët shqiptarë”, theksoi Kos.

Më tej, komisionerja u shpreh se arritja e sotme çel një fazë të re të bisedimeve të zgjerimit.

“Ky është një themel i fortë për të punuar mbi të. Duke arritur këtë gurë kilometri kyç sot ne po vendosim me vetëbesim edhe termat e rrugëtimit përfundimtar drejt anëtarësimit në BE. Sot kemi vendosur objektivat e fundit. Shtetet anëtare kanë përcaktuar piketat mbyllëse për kapitujt më të rëndësishëm, për shtetin e së drejtës dhe të drejtat themelore për sistemin e drejtësisë, antikorrupsionin dhe luftën kundër krimit të organizuar”, tha Kos.

Komisionerja theksoi se, “arritja e sotme çel një fazë të re të bisedimeve të zgjerimit dhe bën të mundur për Shqipërinë të ecë përpara drejt mbylljes së kapitujve, pra pa hapin e sotëm, mbyllja e kapitujve nuk do të ishte aspak e mundur në të gjitha fushat e politikave dhe në momentin që plotësohen kushtet”.

Kos shtoi se, “ky është momenti për të kremtuar, por edhe për të intensifikuar punën. Ne do të vazhdojmë të mbështesim punën dhe vizionin e Shqipërisë për të mbyllur negociatat në vitin 2027. Shqipëria duhet ta përdorë këtë energji pozitive të gjeneruar nga ky hap për të ecur përpara”.

“Piketat mbyllëse për të cilat ka rënë dakord BE-ja sot janë një sinjal i qartë përçuar Shqipërisë se pritet progres i mëtejshëm. Mbështetemi tashmë te Shqipëria për të intensifikuar reformat dhe kjo duhet të përfshijë të gjitha forcat politike në vend dhe të bëhet në konsultim si me shoqërinë civile, ashtu edhe me publikun”, tha më tej Kos.

Komisionerja u shpreh se, “shteti i së drejtës prek çdo qytetar, reformat që i shërbejnë Shqipërisë mund të arrihen vetëm duke marrë pikëpamjet e të gjithë personave të prekur në konsideratë. Tashmë është koha që të përmbushin pritshmëritë e qytetarëve shqiptarë duke intensifikuar harmonizimin me BE dhe duke dhënë rezultate për ato reforma që kanë peshë për ta dhe më shumë se 90% e qytetarëve shqiptarë mbështesin anëtarësimin tuaj në BE”.

“Kemi një rrugë të gjatë përpara, por do të vijë shumë shpejt, kështu që shfrytëzojeni këtë moment të kremtoni arritjen dhe le t’i kthehemi menjëherë punës. Ne po punojmë fort në procesin e zgjerimit. Ju thatë që doni të keni rezultate dhe rezultatet janë këtu”, tha Kos.

Komisionerja Kos nënvizoi se, “nga hyrja e Kroacisë në BE në 2013-ën, deri te Komisioni aktual i Bashkimit Evopian me nisjen e mandatit në dhjetor të 2024, në 11 vjet kemi mbyllur pesë kapituj, nga dhjetori i 2024-ës deri më tani kemi mbyllur 11 kapituj”.

“Tashmë në të ardhmen do të arrijmë shifrat më të larta në mbyllje, por tashmë prej jush sa më shumë kapituj të mbyllen në rrugëtimin e anëtarësimit të Shqipërisë, aq më shumë i suksesshëm do të jetë dhe Bashkimi Evropian”, përfundoi ajo.

/gj.m/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›