E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosova nis rrugëtimin në Lojërat Olimpike për të Rinj Dakar 2026, Arba Hasanaj bart flamurin

Me ceremoninë hapëse të mbajtur mbrëmjen e së shtunës në stadiumin “Abdoulaye Wade”, kanë nisur zyrtarisht Lojërat e katërta Olimpike për të Rinj Dakar 2026, të cilat do të zhvillohen nga 31 tetori deri më 13 nëntor në Senegal.

Në parakalimin e delegacioneve pjesëmarrëse, flamurin e Kosovës e mbajti xhudistja Arba Hasanaj, e cila pati nderin ta përfaqësojë vendin tonë në këtë ceremoni.


Ceremonia u karakterizua nga një program i pasur artistik, me koreografi që ndërthurën elemente të traditës dhe kulturës senegaleze me frymën sportive dhe olimpike. Në mesin e të pranishmëve ishte edhe presidentja e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Kirsty Coventry.

Në këtë edicion të Lojërave Olimpike për të Rinj marrin pjesë sportistë të moshës 14 deri në 18 vjeç, të cilët do të garojnë në disiplina të ndryshme sportive.

Ekipi Olimpik i Kosovës në Dakar përbëhet nga tre sportiste: xhudistja Arba Hasanaj, taekwondistja Shega Sejdiu dhe atletja Erisë Avdullahu.

Përfaqësueset kosovare do të synojnë të paraqiten sa më mirë në garat e tyre, duke përfaqësuar vendin në këtë ngjarje të rëndësishme ndërkombëtare sportive. /Telegrafi/

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›