“Kosova përballet me pasiguri të re politike”, Raportuesi i PE-së: Dështimi për zgjedhjen e presidentit, zhgënjyes

Zhgënjyes e cilësoi Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras dështimin e Kuvendit të Kosovës, i cili nuk arriti të zgjedhë presidentin e ri të republikës.
“Kuvendi i Kosovës dështoi të zgjedhë Presidentin. Ky hap është një pengesë serioze. Në vend të stabilitetit, vendi përballet me pasiguri të re politike. Vërtet zhgënjyese.” – shkroi ai në rrjetin X.
Reagimi i deputetit të parlamentit Evropian erdhi pasi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, njoftoi të premten se ka firmosur dekretin për shpërndarjen e Kuvendit, duke argumentuar se deputetët dështuan të përmbushin detyrimin kushtetues për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit brenda afatit.
Vendimi i Presidentes u kundërshtua nga partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje, por u mbështet nga partitë opozitare, të cilat fajësuan Partinë e kryeministrit Albin Kurti se po kërkon të ketë nën kontroll të gjitha institucionet.
Akuzat erdhën pasi LVV nxirri dy kandidatë për president Glauk Konjufcën dhe Fatmire Kollçaku-Mullhaxharën.
Mbrëmjen e 5 marsit, opozita bojkotoi seancën për zgjedhjen e presidentit, duke bërë që kryeparlamentarja Albulena Haxhiu ta ndërpresë për mungesë kuorumi.
/rtsh.al/