E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosova voton sërish, mbi 2 milionë qytetarë zgjedhin Kuvendin e ri

Qytetarët e Kosovës iu drejtuan këtë të diel kutive të votimit për të zgjedhur përbërjen e re të Kuvendit, në zgjedhjet e treta parlamentare që mbahen brenda vetëm 16 muajsh.

Mbi 2 milionë qytetarë kanë të drejtë vote në procesin që synon t’i japë fund krizës politike të krijuar pas dështimit për zgjedhjen e presidentit dhe formimin e institucioneve të reja.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka hapur 949 qendra votimi me 2 mijë e 550 vendvotime në të gjithë territorin e Kosovës. Në garë marrin pjesë 22 parti politike dhe tre koalicione parazgjedhore, ndërsa konkurrenca kryesore zhvillohet mes Vetëvendosjes, PDK-së, LDK-së dhe AAK-së.

Procesi i votimit nisi në orën 07:00 dhe deri në orët e para të ditës është zhvilluar kryesisht pa incidente. Nga qytetet kryesore të vendit raportohen qendra votimi funksionale dhe një atmosferë e qetë, megjithëse pjesëmarrja e votuesve në mëngjes është vlerësuar relativisht e ulët.

Pas votimit të tij, kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, u bëri thirrje qytetarëve të ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike dhe të marrin pjesë në zgjedhje.

Ndërkohë, diaspora ka votuar një ditë më parë në ambasada dhe konsullata. Sipas të dhënave zyrtare, mbi 22 mijë qytetarë kanë hedhur votën, ose rreth 81 për qind e votuesve të regjistruar jashtë vendit.

Për mbarëvajtjen e procesit janë angazhuar mbi 100 prokurorë dhe zyrtarë të sistemit prokurorial, ndërsa institucionet u kanë bërë thirrje qytetarëve të raportojnë çdo shkelje që mund të cenojë integritetin e votës.

Zgjedhjet po ndiqen me vëmendje edhe nga Bashkimi Evropian, i cili pret krijimin e institucioneve të qëndrueshme për të avancuar reformat dhe procesin e integrimit evropian të Kosovës.

Rezultatet paraprake pritet të japin një tablo të qartë mbi drejtimin politik që do të marrë vendi pas një periudhe të gjatë paqëndrueshmërie institucionale.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›