E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama i prerë për Zvërnecin: Projekti do të bëhet, nuk e ndal askush

Kryeministri Edi Rama ka komentuar sërish debatin mbi projektin turistik në Zvërnec, duke theksuar se investimi do të ecë përpara dhe se ai përbën një mundësi të madhe zhvillimi për zonën, Vlorën dhe ekonominë shqiptare.

Në podkastin e tij javor, Rama u ndal te takimi i zhvilluar me banorët e zonës së Zvërnecit, për të cilin tha se tregoi një realitet krejt ndryshe nga ai që, sipas tij, paraqitet në rrjetet sociale dhe në një pjesë të mediave.

Sipas kreut të qeverisë, në takim morën pjesë banorë dhe pronarë që jetojnë apo kanë interesa të drejtpërdrejta në zonë, ndërsa diskutimet u fokusuan te shqetësimet konkrete që lidhen me pronat dhe zhvillimin e projektit.

“Askush nga ata që takova nuk kërkoi ndalimin e investimit. Përkundrazi, kishte shqetësim që projekti të mos humbiste”, u shpreh Rama.

Kryeministri kritikoi ashpër kundërshtarët e projektit, duke pretenduar se një pjesë e reagimeve vijnë nga interesa të ndryshme politike, ideologjike apo ekonomike, dhe jo nga shqetësime reale për mjedisin.

Ai deklaroi se investimi, i cili sipas qeverisë kap vlerën e miliarda eurove, do ta vendosë Shqipërinë në hartën e destinacioneve turistike elitare dhe do të sjellë përfitime të konsiderueshme ekonomike.

Rama ngriti gjithashtu shqetësimin se përshkallëzimi i debatit dhe imazhi i krijuar në mediat ndërkombëtare mund të ndikojnë negativisht në sezonin turistik, duke pohuar se kanë nisur të shfaqen sinjale të para të anulimeve të rezervimeve në zonën e jugut.

Në fund të deklaratës së tij, kreu i qeverisë përsëriti se projekti në Zvërnec nuk do të ndalet.

“Projekti do të bëhet sepse është një e mirë e madhe për ekonominë tonë. Është një bekim i madh për Vlorën dhe një kapërcim epokal për Shqipërinë turistike dhe europiane”, deklaroi Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›