Kosovë – Kurti: Hetim të shpejtë për zbardhjen e rastit të vdekjes së 27-vjeçarit

PRISHTINË, 9 korrik/ATSH/ Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka kërkuar hetim të shpejtë e të thellë për zbardhjen e rastit të vdekjes së 27-vjeçarit, Agon Zejnullahu, në Komunën e Lipjanit, më 7 korrik.
Ngjarja e rëndë ndodhi të dielën në mëngjes, kur 27-vjeçari ndërroi jetë teksa u shoqërua nga policia, pasi dyshohet se po drejtonte automjetin në gjendje të dehur.
Për rastin lidhur me të cilin dyshohen të përfshirë pesë policë, Kurti tha se anti-fushata ndaj Policisë është e dëmshme.
Sipas tij, nuk do të ketë strehë në institucione për ata që kanë tejkaluar kompetencat apo kanë shkelur ligjin gjatë detyrës zyrtare.
“Lajmi për vdekjen e tij na ka tronditur të gjithëve, shumëçka prej asaj që ka ndodhur në mesnatën e shtatë korrikut tashmë është publike edhe falë incizimeve të dëshmitarëve, por për të kuptuar gjithçka çfarë ka ndodhur duhet hetim profesional nga institucionet për këtë bashkëpunimi ndërmjet Policisë së Kosovës, inspektoratit policor, institutit të mjekësisë ligjore dhe prokurorisë është thelbësor. Pesë zyrtarë policorë tanimë janë në paraburgim. Unë kërkoj hetim të thellë dhe sa më të shpejtë që zbardh të vërtetën e plotë dhe i bën të njohura të gjitha rrethanat ashtu që të vendoset drejtësia dhe të arrihet llogaridhënia”, tha Kurti.
Kryeministri në detyrë, Kurti tha se “diskutimet publike që po bëhen dhe gjykimet publike janë veçanërisht të vështira për familjen Zejnullahu dhe miqtë e të ndjerit. Në të njëjtën kohë tendenca që të nis një antifushatë ndaj Policisë së Kosovës është e dëmshme dhe nuk është zgjidhje”.
Kurti, gjithashtu në emër të kabinetit qeveritar, ka shprehur ngushëllime edhe për familjen Lima, pasi që dje Kaçun Lima komandanti i togut të zjarrfikësve në Gjakovë, ka humbur jetën gjatë detyrës së tij teksa ishte rrugës për të shërbyer.
Kurti u shpreh se “Lima do të kujtohet gjithmonë për vetëmohimin e çdo dite të punës e përkushtimin e lartë ndaj detyrave zyrtare”.
/Kosovapress/