E Hënë, 2 Nëntor 2026

Nis Evropiani i Esports në Kosovë, Kurti: Ngjarje e madhe, ta mbështesim me zemër ekipin tonë

PRISHTINË, 9 korrik/ATSH/ Në Kosovë nisi sot Kampionati Evropian i Esports në Prishtinë. Në turne marrin pjesë 36 ekipe nga 24 shtete të Evropës. Ndeshjet do të zhvillohen në Palestrën e Sporteve “1 Tetori”.

Kosova jo vetëm që do të jetë mikpritëse e kësaj gare madhore, por edhe do të përfaqësohet me ekipin e saj kombëtar.

Në ceremoninë e hapjes zyrtare, kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i cili të pranishmëve iu drejtua në gjuhën angleze. Ai theksoi se megjithëse në botë ky njihet si sport i ri, Kosova ka një histori të gjatë në këtë aktivitet pasi të rinjtë kosovarë shumë vite më parë filluan angazhimin e tyre në lojërat elektronike nëpër qendra interneti, duke hedhur hapat e parë drejtë rritjes profesionale në këtë sport.

Kurti gjithashtu bëri thirrje që nga sot, deri më 13 korrik, ekipi përfaqësues i Kosovës në këtë garë të mbështetet me zemër nga të gjithë adhuruesit dhe praktikuesit e lojërave elektronike-Esports.

Altin Preniqi, Kryetar i Federatës së Esports në Kosovë, tha se organizimi i këtij evropiani është moment historik për Kosovën sepse ky sport sjellë energji të madhe, e mbi të gjitha, miliarda shikues online nga e gjithë bota, duke u bërë kështu mundësi e rrallë për promovimin e imazhit të Republikës së Kosovës në mbarë rruzullin tokësorë.

Ky kampionat organizohet nga Federata Esports Kosova me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Ndeshja e parë do të zhvillohet sot ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Çekisë.

/Kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›