Kosovë- Dështon konstituimi i Kuvendit, rrëzohet kandidatura e Hekuran Muratit. PDK: Sjellin emra të tillë qëllimisht që të mos votohen

Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të konstituohet as këtë herë, megjithëse kandidati i propozuar për kryetar ishte ministri në detyrë i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.
Murati u propozua nga Donika Gërvalla në emër të Lëvizjes Vetëvendosje, megjithatë, ai nuk arriti të siguronte shumicën e nevojshme prej 61 votash. Nga 115 deputetë të pranishëm, 57 votuan pro, 51 kundër, ndërsa 6 abstenuan.
Pas dështimit të seancës së radhës, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, e ka quajtur kandidaturën si të qëllimshme për të dështuar në marrjen e mbështesje së mjaftueshme nga partitë politike.
Ai akuzoi Lëvizjen Vetëvendosje se me qëllim nuk dëshiron që Kuvendit të konstituohet.
“Ata e sollën edhe një herë një kandidat që e dinin saktë se nuk i merr votat sepse e kemi bërë të qartë se PDK nuk e voton asnjë nga anëtarët e ish-kabinetit Kurti 2, duke përfshirë edhe shefin e grupit parlamentar sa për qartësi. Ajo nga pozicioni i saj e ka ndërlidhjen dhe rëndësinë më të madhe se plotë nga ministrat, por normalisht ka rezerva tjera në pozicionin dhe veprimtarinë e saj gjatë kësaj pozite. Këta me vetëdije nuk po dëshirojnë ta konstituojnë Kuvendin sepse ministrat nuk kanë shans të marrin vota”, tha Krasniqi.
Nga ana tjetër, Donika Gërvalla tha se bllokimi nuk lidhet me emra të përveçëm, por me opozitën që nuk dëshiron kostituim të Kuvendit.
“Bllokimi s’lidhet me emra të përveçëm, lidhet me mosgatishmërinë e opozitës për të shkuar në një fazë të re. Frika e opozitës nga qeveria Kurti 3 është shpërfaqur hapur gjatë ditëve, javëve e muajve të fundit”, tha ajo.
Kjo ishte përpjekja e 56-të në seancën konstituive për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit, por sërish pa sukses. Seanca e radhës është caktuar të mbahet më 24 gusht.
Ngërçi rreth zgjedhjes së kryeparlamentarit ka vonuar konstituimin e plotë të institucioneve pas zgjedhjeve, duke thelluar krizën institucionale në vend.
/rtsh.al/