Kosovë, Albulena Haxhiu merr detyrën e presidentes, pason Vjosa Osmanin në krye të shtetit, pritet marrëveshja për emrin e ri

Albulena Haxhiu ka marrë zyrtarisht detyrën si ushtruese e postit të Presidentit të Kosovës pas përfundimit të mandatit të Vjosa Osmanit. Dorëzimi i detyrës u bë këtë të shtunë përmes një ceremonie shtetërore ku ish-presidentja Osmani u shpreh e lumtur që stafetën po ia kalonte një tjetër gruaje.
Gjatë fjalës së saj Osmani theksoi se udhëheqja e shtetit, ushtrisë dhe diplomacisë është një përgjegjësi e jashtëzakonshme për këdo. Nga ana tjetër Haxhiu garantoi respektimin e Kushtetutës duke thënë se i kupton plotësisht detyrimet e saj deri në zgjedhjen e pasardhësit.
Ky rotacion erdhi pasi Kuvendi dështoi të zgjidhte një emër të ri në kohë dhe Vjosa Osmani nuk gjeti dot mbështetjen e duhur. Përplasjet politike mes partive e kanë lënë karrigen e kreut të shtetit vakante duke rrezikuar dërgimin e vendit në zgjedhje të parakohshme.
Kryeministri Albin Kurti ka njoftuar se javën e ardhshme do të nisë takimet me krerët e opozitës për të gjetur një gjuhë të përbashkët. Synimi është arritja e një marrëveshjeje brenda prillit për të shmangur krizën dhe për të siguruar unitetin e nevojshëm në parlament.
Megjithëse Osmani largohet nga presidenca ajo ka bërë të qartë se nuk do të tërhiqet nga jeta politike aktive. Tanimë i gjithë vëmendja është te lëvizjet e fundit të partive për të parë nëse do të ketë tym të bardhë për emrin e ri.
/rtsh.al/